Lidhje

Cunami në Japoni, ndër fatkeqësitë më të kushtueshme

  • Henri Rixhuell

Cunami në Japoni, ndër fatkeqësitë më të kushtueshme

Cunami në Japoni, ndër fatkeqësitë më të kushtueshme

Qeveria japoneze thotë se kostoja e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara nga cunami mund të arrijnë në 25 trilion jenë – apo 309 miliardë dollarë. Qytete të tëra u fshinë nga faqja e dheut kur u goditën nga vala e madhe e detit më 11 mars. U shkatërruan ferma, fabrika, rrugë, hekurudha e linja elektrike, ndërsa gati një milion njerëz kanë mbetur pa shtëpi. Megjithë shkatërrimet, shumë japonezë shpresojnë që përpjekjet për rindërtim ta ndihmojnë ekonominë e vendit.

Nëse vlerësimet e qeverisë dalin të sakta, ato do ta radhisnin tërmetin dhe cunamin që dërmuan bregdetin verilindor të Japonisë ndër fatkeqësitë natyrore më të kushtueshme në histori.

Kostoja e parashikuar – që arrin deri në 309 miliardë dollarë – përfshin shkatërrimin e banesave, bizneseve dhe infrastrukturës në shtatë prefektuarat të goditura më rëndë. Por kjo mund të mos jetë e tëra.

Tokio është zemra e ekonomisë së tretë në botë. Kjo qendër financiare botërore po përballet me ndërprerje të përsëritura të energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të centralit bërthamor të Fukushimës. Humbjet e bizneseve për shkak të pengesave në furnizim me energji nuk llogariten në vlerësime.

Ish-ministri japonez i financave Makoto Ucumi – tani kryetar i Agjencisë Japoneze të Klasifikimit të Kredive – thotë se muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë.

“Përsa i përket planit afatshkurtër, kuptohet se kemi sfida të mëdha para nesh. Prandaj, ka të ngjarë që për dy a tre tremujorë të shënojmë rritje negative. Por në planin afatgjatë, besoj se do të ketë ndikime pozitive për ekonominë; për shkak të rindërtimit të vazhdueshëm ekonomia do të rritet në tri apo katër vjetët e ardhshëm.”

Pasojat e menjëhershme të cunamit po prekin çdo aspekt të jetës ekonomike. Cukixhi-shixho në Tokio është një nga tregjet më të mëdha në botë të peshkut dhe perimeve. Çdo ditë, këtu shiten me dhjetëra mijëra tonë mallra nga Japonia dhe mbarë bota.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kanë ndaluar importimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale nga Japonia për shkak të shqetësimeve rreth ndotjes së mundshme nga impianti bërthamor.

Tregtarët këtu shqetësohen se mund të ketë pasoja në punën e tyre.

“S’është vetëm Fukushima. Ka vende të tjera si Çiba [afër Tokios] dhe prefektura të tjera që po preken nga rrezatimi; unë bëj biznes me to. Jam vërtet i shqetësuar.”

Në një cep të tregut, Hiro Masamoto punon thika për tregtarët e peshkut. Ai po ashtu shqetësohet për të ardhmen.

“Jam i shqetësuar. Nuk mendoj se i kemi parë të gjitha pasojat akoma. Nëse nuk na vijnë më klientët, atëherë do të kemi telashe.”

Trenat e shpejtësisë së lartë kanë filluar të qarkullojnë sërish mes kryeqytetit dhe rajonin Tohoku, të goditur nga cunami. Autostradat drejt veriut po rihapen për trafikun e rregullt.

Por shumë kompani ndërkombëtare i kanë larguar punonjësit nga Tokio nga frika e një katastrofe të mundshme në centralin bërthamor të Fukushimës. Shumë seminarë, takime dhe ngjarje të tjera janë anuluar. Turizmi ka ngecur. Rritja mbetet e dobët – ekonomia japoneze s’ka shumë që doli nga recesioni, më 2009.

Por ish-ministri i financave Makoto Ucumi këmbëngul se ekonomia do të rimëkëmbet sërish.

“Për të rindërtuar ekonominë, jo vetëm rajonin e prekur, por ekonominë e mbarë vendit, mendoj se i kemi mundësitë financiare, njohuritë, teknologjinë, aftësinë dhe guximin për t’u bërë ballë këtyre vështirësive dhe në fund do t’ia dalim mbanë që t’ia kthejmë shkëlqimin rajonit [të goditur] dhe mbarë vendit.”

Sikurse zoti Ucumi, shumë japonezë janë të vendosur se vendi i tyre mund të përsërisë mrekullinë ekonomike të viteve ’80 – këtë herë duke përballuar me sukses katastrofën në rritje.

Në kushtet kur 25 mijë vetë figurojnë të vdekur ose të humbur, është e qartë kostoja tragjike e fakqesësisë. Por do të duhen muaj, në mos vite, për të mësuar plotësisht vlerën e dëmeve që i është shkaktuar ekonomisë së Japonisë.

XS
SM
MD
LG