Lidhje

Një tjetër arritje e sondës Curiosity në Mars


Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, ka realizuar një tjetër arritje historike me Sondën e Hapësirës Mars Curiosity: regjistrimin e parë të një zëri njerëzor nga Toka për në një tjetër planet dhe anasjelltas. Zëri i regjistruar i adminsitratorit të NASA-s Charlie Bolden përshëndeti anëtarët e ekuipazhit të sondës Curiosity.

Ai thotë: “Jam administratori i NASË-s, që po ju flas përmes sistemit transmetues të Sondës Curiosity, që tani ndodhet në sipërfaqen e Marsit.”


Zyrtari i NASA-s e vazhdon mesazhin e tij, duke thënë se dërgimi i një sonde në sipërfaqen e Marsit kishte qenë një ndërmarrje e vështirë dhe ai i përgëzoi punonjësit e NASA-s dhe partnerët privatë dhe qeveritarë të agjencisë për uljen me sukses të sondës në fillim të muajit.

Ai tha se është pikërisht kurioziteti që i shtyn njerëzit të eksplorojnë hapësirën. Zëri i regjistruar u publikua krahas me pamjet e fotografuara të relievit të ndryshueshëm të Marsit. Fotot paraqesin gryka malore dhe shkëmbinj të gërryer nga erozioni, ku dallohen qartë shtresat gjeologjike.

Drejtori i programit të NASA-s tha se shpreson që mesazhi nga Marsi do të frymëzojë dikë që të bëhet personi i parë që të shkojë në Mars. Sonda Curisosity ka tre javë që ka mbërritur për një mision dy-vjeçar në Mars. Ajo është pajisur me 10 instrumente shkencore që do të analizojnë një zonë e caktuar për studim, në se atje ekzistojnë kushtet e favorshme mjedisore për zhvillimin e jetës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG