Lidhje

SHBA:Alternativa për uljen e kostos së kujdesit shëndetësor


Një ekspert thotë se mënyra më e mirë për uljen e kostos është përmirësimi i cilësisë dhe jo pakësimi i shërbimeve

Në fund të qershorit Gjykata e Lartë amerikane pritet të marrë vendimin mbi kushtetutshmërinë e ligjit për kujdesin shëndetësor i cili detyron të gjithë amerikanët të blejnë sigurim shëndetësor dhe detyron shumicën e kompanive të ofrojnë sigurime shëndetësore për punonjësit e tyre. Amerikanët kanë debatuar çështjen e sigurimeve shëndetësore për shumë vite ndërkohë që kostoja e trajtimeve mjekësore dhe sigurimeve shëndetësore vazhdon të shënojë rritje. Ekspertët thonë se pjesë e ketij debati duhet të jetë pakësimi i kostos pa ulur cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Amerikanët shprehën pikëpamjet e tyre mbi kujdesin shëndetësor në fund të muajit mars ndërkohë që Gjykata e Lartë dëgjonte argumentet mbi ligjin për kujdesin shëndetësor. Kujdesi shëndetësor është aq i kushtueshëm sa që shumë njerëz nuk mund ta përballojnë pa patur sigurime shëndetësor. Por sigurimet shëndetësore janë gjithashtu me kosto të lartë. Afërsisht 50 milionë amerikanë nuk kanë sigurime shëndetësore.

Dr. Donald Berwick është ekspert i çështjes së kujdesit shëndetësor. Kohët e fundit ai ka dalë në pension nga posti i drejtuesit të programit shëndetësor të qeverisë amerikane për të moshuarit dhe të varfërit, Medicare dhe Madicaid. Tani ai është analist në Qendrën për Përparimin e Amerikanëve, një organizatë që merret me studimin e politikave.

“Mënyra më e mirë për uljen e kostos është përmirësimi i cilësisë e jo pakësimi i shërbimeve”.

Dr. Berwick është bashkë-autor i shumë artikujve mbi këtë temë në revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane. Ai thotë se ndjekja e procedurave të duhura mund të pakësojë gabimet e kushtueshme, gabime të cilat rezultojnë nga komplikacionet pas operacioneve ose rrëziqet nga reagimet negative të pacientëve nga ilaçet e gabuara. Kostoja rritet edhe kur shërbimet e kujdesit shëndetësor nuk janë të koordinuara. Për shembull, në rastet kur një pacient kontrollohet si nga mjeku i përgjithshëm ashtu edhe nga specialisti dhe asnjeri nuk di se çfarë analizash ka kërkuar tjetri.
Dr. Berwick thotë se edhe trajtimet e panevojshme rrisin koston.

“Për shembull, përdorimi i antibiotikëve për infeksione virale. Kjo nuk i bën asgjë pacientit, por ne ende e përdorim gjatë gjithë kohës”.
Pastaj plotësimi i formularëve nga ana e mjekëve dhe infermierëve.

“Shumë aktorë të ndryshëm në kujdesin shëndetësor shtojnë koston duke i detyruar doktorët dhe infermierët të plotësojnë formulare që nuk kanë asnjë vlerë”.

Dr. Berwick gjithashtu vë në dukje koston e lartë të procedurave të diagnostikimit. Në Shtetet e Bashkuara imazhet me rezonancë magnetike dhe skanimet e trurit kushtojnë disa herë më shumë se në vendet tjera.
Studiuesit thonë se Shtetet e Bashkuara shpenzojnë 17 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për kujdesin shëndetësor. Kjo pritet të arrijë në 20 për qind në 8 vitet e ardhshme.

“Nëse ne nuk eliminojmë shpenzimet e panevojshme dhe nuk përmirësojmë kujdesin shëndetësor përmes një axhende për uljen e kostos, atëherë ne do të përballemi me një problem shumë të madh”.

Megjithatë, Dr. Berwick thotë se nëse kostoja mund të vihet nën kontroll, paratë do të mund të përdoreshin për procedura mjekësore dhe ilaçe që japin rezultate.
XS
SM
MD
LG