Lidhje

Sulmet kibernetike dhe marrëdhëniet SHBA-Kinë


Zyrtarët dhe bizneset amerikane janë të shqetësuar gjithnjë e më shumë se Kina qëndron pas një serie sulmesh kibernetike

Presidenti i ri i Kinës po zhvillon për herë të parë takime me zyrtarë të SHBA-së. Një nga çështjet themelore në sfond të këtyre takimeve janë akuzat e Uashingtonit se Kina po ndërmerr sulme kibernetike kundër interesave amerikane. Kina i ka mohuar akuzat, por shumë ekspertë amerikanë i hedhin poshtë këto thënie:

Një shtrëngim duarsh dhe buzëqeshje shihen ndërsa Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew takohet me Presidentin e ri kinez Xi Jinping në Pekin.

"Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë një përgjegjësi të veçantë për të ruajtur një rritje ekonomike të fortë, të qëndrueshme dhe të vazhdueshme në bot, tha Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew.

Por, nën sipërfaqen e pritjeve zyrtare, ka tension. Zyrtarët dhe bizneset amerikane janë të shqetësuara gjithnjë e më shumë nga provat në rritje se Kina qëndron pas një serie sulmesh kibernetike ndaj interesave amerikane.

Është një akuzë që Kryeministri i sapo zgjedhur i Kinës Li Keqiang e mohoi në një konferencë shtypi, në fillim të kësaj jave.

"Kina nuk i mbështet, por është kundër aktiviteve të tilla. Në pyetjen tuaj unë ndjeva supozimin e fajit. Mendoj se ne nuk duhet të bëjmë akuza të pabaza kundër njëri-tjetrit, por duhet të shpenzojmë më shumë kohë duke bërë gjëra praktike, që do të kontribuojnë në sigurinë kibernetike.''

Por shumë ekspertë amerikanë i hedhin poshtë garancitë e Kinës.

Firma e sigurisë kibernetike Mandiant zbuloi se disa autorë të sulmeve në internet vepronin pranë një ndërtese ushtarake në Shanghai. Shefi për sigurinë i kompanisë Mandiant Richard Bejtlich thotë se ata kanë mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria kineze, që e lidh sigurinë kombëtare me rritjen ekonomike.

"Ky është motori i rritjes, thonë ata. Kjo është mënyra se si do të sigurojmë vende pune për njerëzit tanë, se si do të krijojmë marka botërore. Do t’i marrim këto risi nga Perëndimi dhe do t’i përdorim për produktet dhe shërbimet tona."

Ligjvënësi amerikan Mike Rogers, Kryetar i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, shprehet në mënyrë edhe më të drejtpërdrejtë.

"Jemi në një luftë kibernetike. Shumica e amerikanëve nuk e dinë këtë. Shumica e njerëzve në botë ndoshta nuk e dinë. Dhe, në këtë pikë, jemi duke humbur."

Presidenti Obama po premton të reformojë ligjet dhe rregulloret amerikane për ta bërë më të lehtë mbrojtjen ndaj kërcënimit kibernetik në rritje.

Tani për tani, Presidenti kinez Xi Jinping premton bashkëpunim.

"Unë i jap rëndësi të madhe marrëdhënieve të Kinës me Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të gatshëm të punojmë me palën amerikane për të vazhduar zhvillimin e këtij partneriteti dhe për të ndjekur rrugën e bashkëpunimit midis dy vendeve tona të mëdha.''

Por, shqetësimet e Uashingtonit nuk kanë gjasa të pakësohen së shpejti.

XS
SM
MD
LG