Lidhje

Plan për ringjalljen e një qyteti fantazëm në Qipro


Qyteti i Varoshës në bregdetin lindor të Qipros, ishte dikur një vend turistik luksoz, por që kur ky ishull u nda para 40 vjetësh, ka mbetur si një qytet fantazëm. Së fundmi, një grup aktivistësh dhe ekspertësh nga të dyja pjesët kanë bashkëpunuar për një projekt për ta kthyer qytetin fantazëm në një qytet të qëndrueshëm nga ana ekologjike.

Qyteti fantazëm i Varoshës. Hotele në buzë të detit, të lëna pas dore dhe shtëpi të rrënuara nga lufta.

Dikur, gardhe të bukura rrethonin hotele turistike luksoze ku thuhet se pushonin yjet e Hollivudit, që nga Elizabeth Taylor, Richard Burton dhe Brigitte Bardot.

Sot, nën kontrollin e ushtrisë turke, qyteti është pothuajse i shkretuar.

Ish-banori i qytetit, Marios Kosma ishte 24 vjeç kur u detyrua të largohej dhe që atëherë nuk e ka parë shtëpinë e familjes së tij.

“Ne ikëm me shpresën se do të ktheheshim shpejt. Shumë prej atyre që u larguan nuk morën asgjë me vete, sepse mendonin se po iknin vetëm për një natë. 40 vjet më pas, ata ende shpresojnë të kthehen, ende jetojnë me ëndrrën e kthimit në Varoshë”, thotë ai.

I ngritur në bregun lindor të Qipros, Varosha ishte lagjia moderne e turistëve në distriktin e Famagustës.

E njohur për plazhet me rërë të bardhë dhe ujrat e ngrohta të kaltra, ishte banuar tradicionalisht nga qipriotët grekë.

Ngjitur me të, qyteti i lashtë mesjetar, i rrethuar me mure i Famagustës banohej nga qipriotët turq.

Marios e mban mend kur la qytetin, javën e parë të gushtit 1974, së bashku me qipriotë të tjerë grekë nga Famagusta që ndjeheshin të rrezikuar.

Ai thotë se qyteti u braktis para se të arrinte ushtria turke, duke mbetur i zbrazët dhe gati për t’u marrë nën kontroll para saj.

Ayla Gurel është Konsulente Studimesh në Institutin e Oslos për Kërkimet e Paqes dhe specialiste për konfliktin e Qipros.

Ajo shpjegon se fillimisht ushtria turke ushtria turke nuk kishte si synim të pushtonte Varoshën.

“Ky është varianti që po paraqitet, që nuk ishte në planin origjinal që të bëhej një ndarje ku të përfshihej gjithë Varosha dhe rrethinat”.

Ndryshe nga zonat e tjera të veriut ku qipriotët turq dhe turqit e Turqisë ranë dakord, Varosha mbeti e zbrazët pasi u pushtua.

Zonja Gurel thotë se ishte një lëvizje e qëllimshme për të forcuar pozitën negociuese të qipriotëve turq në biseda të ardhshme për territor dhe prona.

Por qyteti fantazëm vazhdon të jetë një pikë delikate për qipriotët turq. Është një kujtesë e hidhur për tragjedinë e luftës së vitit 1974. Dhe fatura sa vjen e rritet, pasi Turqia është e detyruar nga gjykatat ndërkombëtare të kompensojë ish-banorët për humbjet nga mospërdorimi i pronave të tyre.

Që nga viti 1974, janë bërë disa përpjekje për të negociuar dorëzimin e Varoshës, ose si pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme, ose si masë për vendosjen e besimit mes veriut turk të Qipros, me jugun grek-qipriot që njihet në shkallë ndërkombëtare.

Ceren Bogac, një arkitekte turko-qipriote është rritur në një shtëpi nga ku shihet qyteti fantazëm, dhe kjo ka lënë një gjurmë të thellë në jetën e saj.

Familja e saj ishte zhvendosur në Framagusta nga Larnaca në jug pas marrëveshjes së vitit 1975 për këmbimin e popullsisë dhe iu dha një apartament pranë kufirit të qytetit të rrethuar.

“Kur je fëmijë, nuk e ke idenë se në çfarë vendi po luan. Telat me gjemba, shtëpitë e braktisura nuk kanë ndonjë kuptim të veçantë. Por me kalimin e kohës, të lindin pyetje: Pse ajo shtëpi është e zbrazët? Kush jetonte këtu? Pse nuk kemi fqinjë? Ç’ka ndodhur? Dhe përgjigjet janë të ndryshme. Gjithkush ka interpretimin e vet. Dhe fillon të të pushtojë frika, pasiguria nëse kjo është shtëpia jote, nëse do të ta marrin, kush do të vijë e kush do të iki, kush jetonte këtu më parë?”

Tani, banorë nga të dyja anët e Famagustës kanë vendosur të veprojnë. Një nga nismat quhet Projekti i Qytetit Ekologjik të Famagustës. Një grup arkitektësh, planifikues urbanë, udhëheqës të biznesit, ekspertë të energjisë dhe aktivistë të paqes shpresojnë të ngrenë një qytet të tërë për të korrigjuar gabimet e së shkuarës dhe për të krijuar një ambjent ekologjik.

Ideja erdhi nga greko-amerikania nga Qipro Vasia Markides.

“Në fakt ideja erdhi nga mamaja ime që është refugjate nga Varosha. Shtëpia e familjes sime ishte brenda zonës së rrethuar. Kjo ishte shtysa. Ajo gjithmonë thoshte se kur të vinte koha që qyteti të rikthehej, ai duhej rindërtuar në mënyrë ekologjike, për të pasur një ndikim afatgjatë dhe për t’i sjellë komunitetet nën ombrellën e ambjentit të qëndrueshëm”.

Markides dhe arkitektja Bogac, e cila ishte gjithashtu pjesë e grupit nismëtar mblodhën një grup ekspertësh për të diskutuar idenë në vitin 2014. Jo të gjithë janë dakord me idenë dhe ndërsa bisedimet e paqes kanë ngecur për momentin, projekti është më shumë një ushtrim akademik. Tani për tani organizatorët thonë se projekti ka si synim të vendosë ura komunikimi mes banorëve të dikurshëm dhe aktualë të Famagustës dhe Varoshës.

XS
SM
MD
LG