Lidhje

Kriza në Qipro, shqetësim për BE

  • Henry Ridgewell

Udhëheqësit politikë në Qipro duket se i kanë braktisur planet për një taksë mbi depozitat bankare, në shkëmbim të një pakete ndihmash nga Bashkimi Evropian. Lidhjet me Greqinë dhe problemet e borxhit në këtë vend e kanë çuar Qipron në prag të falimentimit. Ky ishull bregdetar ka qenë prej kohësh një vend tërheqës për investitorë të huaj, në veçanti për rusët – një fakt që ka zgjuar një debat të ndezur në Evropë:

Bankat në Qipro janë ende të mbyllura. Radhët tek bankomatet vazhdojnë të zgjaten, jo vetëm me qipriotë, por edhe me shtetas të huaj.

Norma prej 10 për qind për taksimin e korporatave e ka bërë Qipron tërheqëse për investitorë të huaj. Por ky vend ka edhe tipare të tjera tërheqëse, thotë Kate Phylaktis, e cila jep leksione mbi Financat Ndërkombëtare në Shkollën Cass të Biznesit në Londër dhe ka punuar më parë si konsulente e qeverisë qipriote.

“Nuk është vetëm taksa. Në ishull flitet anglishtja, flitet shumë mirë. Sistemi ligjor bazohet në sistemin britanik. Pra ky vend ka institucione shumë të mira që i kupton kushdo. Ky fakt tërheq investitorët e huaj”.

Agjencia Moody’s që analizon mbarëvajtjen e tregjeve financiare përllogarit se në bankat qipriote ka 31 miliardë dollarë të depozituara nga rusët. Zonja Phylaktis thotë se lidhjet mes dy vendeve u forcuan pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik:

“Në Qipro banojnë rreth 20 mijë familje ruse. Këto familje kanë prona, kanë depozita bankare, biznese – të gjitha sjellin të ardhura për Qipron”.

Gjatë javëve të fundit, media gjermane ka publikuar raporte të zbulimit sipas të cilave Qiproja përdoret nga rusë të korruptuar për pastrim parash.

Kate Phylaktis thotë se këto dyshime e kanë bërë Bashkimin Evropian të kërkojë masa të forta në shkëmbim për paketën e ndihmave.

“Në një kohë kur afrojnë zgjedhjet, udhëheqësit gjermanë po tregohen shumë energjikë pasi nuk u mbetet shumë kohë që të bindin votuesit se nuk do të lejojnë financimin e oligarkëve rusë”.

Këto akuza ndaj Qipros janë të ekzagjeruara, thotë James Ker-Lindsay, ekspert për Evropën jug-lindore në Shkollën Ekonomike të Londrës, i cili ka jetuar më parë në Qipro:

“Nuk diskutohet se rusët e kanë përdorur Qipron për pastrim parash. Por ne po ashtu e dimë se rusët kanë përdorur edhe vende të tjera për pastrim parash”.

Zoti Ker-Lindsay thotë se shumë shtetas të huaj e kanë konsideruar Qipron si strehë të sigurtë:

“Për shembull në të gjithë Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut, në Evropën Lindore, në Britani – Qiproja shihej si një strehë e sigurtë në kulmin e luftës civile libaneze. Kishte gjithmonë njerëz që vinin dhe fillonin një jetë të re në Qipro. Po ashtu nga Evropa juglindore dhe Ballkani gjatë luftrave të viteve 1990”.

Britania, e cila ka një bazë ushtarake në Qipro, ka dërguar një avion me një milion euro në ishull, në rast se ushtarët e saj kanë probleme me tërheqjen e parave nga bankat.

Analistët thonë se kjo tregon se sa shqetësuese është për partnerët evropianë kriza në Qipro.
XS
SM
MD
LG