Lidhje

Dalja në treg e Ipadit të ri pritet me radhë të gjata dhe protesta

  • Mil Arcega

Ipadi i ri i kompanisë Apple doli në shitje dje. Ndërkohë që përmirësimet nuk janë revolucionare, ekspertë të teknologjisë thonë se pajisja e modernizuar pritet të bëhet një nga produktet elektronike më të shitura. Konsumatorët në mbarë botën kanë pritur në radhë për orë të tëra vetëm për të qenë nga të parët që blejnë kompjuterin-tabletë të kompanisë Apple. Por ka njerëz që janë të pakënaqur me mënyrën e biznesit të kompanisë Apple.

Ipadi i ri ka dalë në shitje në 10 vende të botës dhe qindra njerëz mbajtën radhë të gjata në dyqanet e kompanisë Apple nëpër botë për të blerë Ipadin e ri.

Në mes të kësaj euforie për produktet tipike të kompanisë Apple, persona që kishin durimin të prisnin në radhë për të qenë të parët që blejnë Ipadin u trajtuan si yje të muzikës rock.

Me çmimin që fillon nga 500 dollarë kompjuteri më i ri tabletë i kompanisë Apple është i pajisur me një mikroprocesor të shpejtë, grafikë me cilësi të lartë dhe një aparat fotografik të përmirësuar. Ekspertët thonë se Ipadi i ri nuk ka dallim të madh nga Ipadi i mëparshëm, por profesori nga Hong Kongu Gino Yu thotë se ky produkt përfaqëson të ardhmen.

“Mendoj se do të jetë shumë popullor. Për një pjesë të madhe të popullatës, në një farë mënyre Ipadi zëvendëson laptopët e tyre dhe kjo është një pajisje e konsumit mediatik”.

Por jo të gjithë janë të magjepsur nga prodhimi i fundit i kompanisë Apple.

Në Uashington dhe Nju Jork, protestuesit shprehën shqetësimin e tyre për punëtorët të cilët montojnë produktet e kompanisë Apple.

“Ne në Shtetet e Bashkuara blejmë produkte pa menduar për punëtorët që i bëjnë ato. Duke shpenzuar disa dollarë më shumë, Apple mund të bëhet shumë më e përgjegjshme ndaj punonjësve të saj në Kinë”.

Shoqata Panairi i Punës ka hetuar kushtet e punës në fabrikat e kompanisë Apple në Kinë, pas njoftimeve për një shpërthim në një fabrikë, pagesa të ulëta dhe njoftimeve për vetëvrasje të punëtorëve.

Prodhuesi i produkteve të kompanisë Apple, Foxconn thotë ka rritur pagat deri në masën 25 për qind, por punëtorët pretendojnë se drejtuesit kanë rritur edhe tarifat për dhomat e konviktit dhe ushqimin.

Protestuesit kanë mbledhur më shumë se 250 mijë nënshkrime, duke inkurajuar kompaninë Apple të marrë masa lidhur me këtë çështje.

“Apple thotë se mendon ndryshe. Ne duam që ata të mendojnë për etikën e punës. Kompania udhëheq në treg dhe në qoftë se ata marrin një hap për krijimin e një strategjie të brendshme për mbrojtjen e punëtorëve, ky veprim do të bënte që edhe tregjet e tjera të merrnin pjesë në një nismë të tillë. Ne duam që ata ta bëjnë pikërisht këtë, pra të jenë udhëheqës në këtë industri ashtu siç thonë vetë ata”.

Por shumica e konsumatorëve janë të pavëmendshëm. Blerësit e parë u thanë gazetarëve se ia vlenë të presësh në radhë për iPadin e ri.

Kompania Apple aktualisht dominon tregun e kompjuterëve tabletë, duke shitur më shumë se 55 milion njësi nga viti 2010. Disa analistë parashikojnë se Apple mund të shesë deri në 60 milionë iPad të ri këtë vit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG