Lidhje

Incident me armë në rajonin policor të Dallasit


Autoritetet në Teksas thonë se një person i armatosur, me një furgon të blinduar ka hapur zjarr ndaj drejtorisë së policisë së Dallasit, duke thyer dritare e duke goditur makina të policisë me plumba, para se të largohej nga skena e incidentit.

Policia e rrethoi furgonin në një lagje periferike të Dallasit në orët e para të së shtunës. Pas shkëmbimit të zjarrit dhe një ballafaqimi prej tre orësh, snajperët arritën ta nxjerrin jashtë përdorimit furgonin. Shefi i policisë së Dallasit tha se ekipi i snajperëve goditi makinën përmes xhamit të përparmë kur panë se i dyshuari ishte në automjet.

Më shumë se shtatë orë pasi filloi incidenti, policia tha se motori i furgonit ishte shuar. Media amerikane njofton se burime policore kanë konfirmuar që i dyshuari është vrarë. Policia nuk u afrua menjëherë pasi ekzistonte shqetësimi se makina mund ishte mbushur me eksplozivë.

Përveç të dyshuarit, incidenti nuk la dëme në njerëz. Një numër bombash artizanale u gjetën pranë ndërtesës së drejtorisë policore. Një prej tyre shpërtheu kur një robot po përpiqej ta çaktivizonte.

Shefi i policisë konfirmoi se i dyshuari kishte pasur më parë probleme me rendin, ishte arrestuar për incidente të dhunës në familje dhe kishte folur kundër policisë sepse e kishin cilësuar “terrorist”. Megjithatë, nuk është publikuar ndonjë informatë për lidhje mes të dyshuarit dhe ndonjë grupi terrorist.

XS
SM
MD
LG