Lidhje

Dallimet mes Kosovës dhe Krimesë


Sean Murphy, ish-diplomat dhe Profesor i së drejtës në Universitetin George Washington, thotë se shkëputja e Krimesë nga Ukraina dhe bashkimi i saj me Rusinë ishte një proces i ngutur dhe nuk i ngjante aspak rastit të Kosovës. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Profesor Murphy iu përgjigj fillimisht pyetjes se ku i shikonte ai ndryshimet e këtyre dy rasteve.

Ndryshimi kryesor, thotë Profesor Murphy, është se në rastin e Kosovës, Kombet e Bashkuara ishin shumë të përfshira në proces dhe Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë, rezolutën 1244, e cila mes të tjerash vendosi në Kosovë një prani cilive të OKB-së, UNMIK-un. Ky mision qëndroi atje që nga viti 1999 për tetë vitet në vazhdim, duke ndërtuar institucione në Kosovë dhe duke krijuar procesin për një status përfundimtar. Ky ishte një proces i nisur nga OKB-ja, pra jo nga ndonjë shtet i veçantë, por nga Kombet e Bashkuara.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisaari, ish-president i Finlandës, zhvilloi bisedime për rreth 2 vjet me udhëheqësit e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, duke u përpjekur të gjente një zgjidhje për një status përfundimtar. Në përfundim, zoti Ahtisaari tha se nuk kishte alternativa të tjera të mundshme, përveç pavarësisë së Kosovës. Dhe vetëm në atë pikë Kosova bëri hapa drejt shpalljes së pavarësisë.

Në rastin e Krimesë, thotë profesor Murphy, nuk ka asgjë që t’i përafrohet këtij procesi. Nuk ka përfshirje të Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit nuk autorizoi ndonjë proces për të vendosur të ardhmen e Krimesë; gjithashtu nuk ka as ndonjë shpallje të pavarësisë, që të ketë ardhur si rezultat i natyrshëm i një procesi të tillë, ku vetë OKB-ja të thoshte se nuk ka mundësi të tjera të vlefshme.

Në rastin e Krimesë nuk është e qartë pse duhej të kishte një proces të ngutur, brenda fare pak javëve, drejtuar jo nga Kombet e Bashkuara por nga Rusia, që të çonte në këtë rezultat.

Ndryshimi tjetër i madh me Kosovën, thotë Profesori, është se në Kosovë pati shkelje shumë të rënda të të drejtave të njeriut. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë i cilësoi ato si krime kundër njerëzimit. Në kontekstin e Krimesë nuk ka asgjë të tillë, pra është një situatë shume e ndryshme.

I pyetur nëse rasti i Krimesë mund të argumentohet si një rast i vetëvendosjes, Profesor Sean Murphy tha se teoria e vetëvendosjes në të drejtën ndërkombëtare përqëndrohet në tre mundësi të ndryshme. Njëra mundësi është kur kemi të bëjmë me një koloni, pra një zonë e botës e cila është kolonizuar nga një fuqi e huaj. Në këtë rast argumentohet se ajo koloni ka të drejtë për vetëvendosje. Vala e dekolonizimit në Afrikë apo në Amerikën Jugore gjatë viteve 1950, ’60, ’70, është pjesërisht zbatim i këtij parimi.

Rasti i dytë është kur një territor gjendet nën pushtimin e huaj. Pra kur një shtet shkon në një shtet tjetër apo në një rajon të një shteti tjetër duke e pushtuar këtë vend, argumentohet se ekziston e drejta e vetëvendosjes për ata që kanë pësuar këtë pushtim.

Mundësia e tretë është ideja kur një pjesë e një shteti pëson abuzim sistematik të të drejtave të njeriut, si sulme pa dallim ndaj popullsisë civile, mohim i së drejtës së votës, mohim i aftësisë për të pasur përfaqësues në autoritetin qeverisës qendror. Kjo mund të ishte një situatë në të cilën shumë njerëz do të mund të argumentonin se, sipas të drejtës ndërkombëtare, ajo zonë do të kishte të drejtë për vetëvendosje riparuese, pra vetëqeverisje që synon të korrigjojë këto veprime mizore.

Është një fushë më e debatueshme dhe nuk ka një shembull shumë të mirë në të cilin mund të jetë zbatuar ky parim. Ndoshta Kosova mund të jetë pjesë e kësaj kategorie, por në rastin e Kosovës kemi të bëjmë kryesisht me procesin e drejtuar nga Këshilli i Sigurimit dhe OKB-ja dhe jo me një të drejtë të njëanshme për t’u bërë shtet i ndarë.

Në rastin e Krimesë, thotë Profesor Murphy, thjesht nuk ekzistojnë treguesit për shkelje të të drejtave të njeriut, si mohimi i së drejtës së përfaqësimit në institucionet qendrore. Krimea është më tepër e ngjashme me rastin e Kebekut, për të cilin Gjykata e Lartë e Kanadasë është shprehur me një vendim që pranohet nga një pjesë e madhe e ekspertëve. Sipas këtij vendimi, tha profesori, Kebeku nuk ka të drejtë të vendosë të ndahet nga Kanadaja mbi parimin e vetëvendosjes, sepse këtij rajoni nuk po i mohohen të drejtat demokratike, pra mundësia për t’u vetëqeverisur në nivel lokal dhe për të marrë pjesë në nivel qendror.

I pyetur se cilat janë tani alternativat për Ukrainën, profesor Murphy thotë se "Qeveria e Kievit ka padyshim mundësi të vazhdojë të mbajë qëndrimin e saj aktual, pra që Krimea është ende pjesë e Ukrainës, pa i bërë rezisencë asaj që po bën Rusia, apo mbajtjes së referendumit. Gjithashtu, fakti që Ukraina tërhoqi trupat nga Krimea nuk e minon këtë qëndrim të Ukrainës. Unë do ta interpretoja tërheqjen e trupave si një përpjekje për të shmangur një përplasje të armatosur, për të mbrojtur trupat nga situata që u krijua". Pra qeveria e Kievit ka të drejtë të ruajë qëndrimin e saj aktual, thotë profesori.

Profesor Murphy thotë se një diçka tjetër që mund të bëjë Ukraina është të bashkëpunojë me vendet e tjera dhe njëra mënyrë me anë të së cilës vendet e tjera mund të reagojnë janë sanksionet dhe diplomacia. Sanksionet mund të shtohen me kalimin e kohës dhe kjo bëhet për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të tërhiqet nga veprimet e saj.

Gjithashtu, thotë profesori, Ukraina ka ndërhyrë pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka dhënë urdhër për mbrojtje të menjëhershme nga Rusia të njerëzve në Krime. Një mundësi tjetër, thotë ai, është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që u përdor edhe nga Gjeorgjia dhe Kosova.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG