Lidhje

Shqipëria dhe tregu rajonal i energjisë


Në Shqipëri po kryen një seri investimesh për projektin e transportit të gazit TAP si dhe në transmetimin e energjisë elektrike midis vendeve të Ballkanit.

Ministri i energjisë dhe industrisë, Damian Gjiknuri, thotë se këto investime po shndërrojnë Europën jug-lindore në një rajon me interes të madh në fushën e energjisë.

Disa ditë u miratua në Vienë projekti i inter-koneksionit të Shqipërisë me Maqedonië, ndërsa ai me Kosovën përfundon vitin e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Z. Minister, si paraqitet aktualisht situata me mbrojtjen e minierave, kushtet e sigurisë, sepse në zonat minerare ndodhin shpesh vdekje të punëtorëve, apo të banorëve pranë tyre?

Damian Gjiknuri: Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave mori një vendim, bllokoi duke e shpallur si zonë pashfrytëzueshme nga pikëpamja minerare një pjesë të zonës D. 18 subjekte minerare që zhvillojnë aktivitete aty, nuk do t'i zhvillojnë më për shkak të rrezikshmërisë së zonës. Këto janë zona që janë shfrytëzuar ndër vite dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë shembjeje. Mendoj se është zgjidhja më e mirë për të evituar tragjeditë e vazhdueshme që ndodhin në këtë sektor, i cili për nga natyra është një sektor i rrezikshëm. Puna në miniera kudo në botë është e rrezikshme, por ndër vite, për shkak të mungesës së sigurisë teknike, kontrollit të dobët apo shfrytëzimit të zonave që nuk duhen shfrytëzuar këto viktima kanë qenë më të shumta. Gjatë dy viteve të fundit, për herë të parë pas 20 vjetësh po investojmë për mbylljen e galerive të braktisura. Galeri që janë në fakt burim rreziku për jetën e njerëzve, të cilët për arsye ekonomike hyjnë gjoja për të marrë minerale me vlerë minimale apo për të marrë edhe skrap por në të tilla raste kanë ndodhur tragjedi njerëzore. Brenda këtij viti, besoj se numri i përgjithshëm i grykave të galerive të braktisura që do të jenë mbyllur të shkojë afro 200 dhe ky proces do të vazhdojë. Sa i përket sektorit minerar, ne duam që të shmangim këtë fragmentimin e tepërt të punimeve minerare. Kemi adresuar përmes ndryshimeve ligjore problemin e zgjerimit të zonave minerare në mënyrë të pakontrolluar. Është adresuar çështja e territorit minerar në tërësi, për të vendosur rregulla se si do të shfrytëzohen rrugëkalimet në galeritë minerare, sepse edhe këto kanë qenë shpesh burime konfliktesh. Janë nxjerrë udhëzimet përkatëse edhe për rehabilitimin mjedisor. Javës tjetër do të kalojë për miratim në qeveri vendimi për shfrytëzimin e fondit të garancisë për rehabilitimin mjedisor. Pra, kur nuk e kryejnë subjektet rehabilitimin, me fondet e bllokuara nga garancitë e subjekteve, autoritetet shtetërore të bëjnë rehabilitimin e zonave minerare. Të gjitha këto janë masa që rrisin sigurinë. Së shpejti do ndryshojmë ligjin për të rritur autoritetin e inspektimit në miniera, sa i takon rritjen e sigurisë në punë.

Zëri i Amerikës: Si po ecën aktualisht puna e kompanive në minierat shqiptare?

Damian Gjiknuri: Në Shqipëri ka dy-tre industri të trashëguara, që janë edhe prodhuesit kryesorë të mineraleve në vend. Në industrinë e kromit përfaqësohet zona e Bulqizës me koncensionarin ACR; industria e bakrit, që ka një koncensionar tjetër – edhe kjo një kontratë e dhënë para shumë vitesh, i cili ka kryer investime dhe do të vazhdojë të kryejë. Së fundi, kemi afruar edhe një kompani kanadeze në zonën e Rehovës. Zona e Selenicës me bitumet, ka edhe aty kompani të huaja. Te zona e bakrit ju e dini që gjysmën e paketës së aksioneve në këtë aktivitet minerar e zotëron kompania më e madhe në botë për bakrin, një kompani kineze e listuar në klasifikimin e “Fortune 500”, një nga kompanitë më të mëdha dhe kjo është një element domethënës. Industria minerare është shumë e varur nga konjukturat ndërkombëtare të tregjeve dhe bursave. Fatkeqësisht, vitet e fundit, çmimet e mineraleve kanë rënë shumë, gjë që ka sjellë edhe një lloj frenimi në kërkesën e investitorëve për sa u përket mineraleve të ngurta. Por nga ana tjetër, qeveria nuk ka ndenjur duarkryq. Meqenëse çmimet e mineraleve bazë kanë rënë, qeveria ka stimuluar përpunimin e mineraleve në vend dhe rafinimin e tyre siç është rasti i ferrokromit. Po të shihni shifrat e ferrokromit, ato janë impresionuese sa i takon prodhimit të viteve të fundit. Parashikohet që me kapacitetet e reja që po shtohen, me uzinat e reja që u vunë në punë në Burrel dhe një kapacitet shtesë që do të bëhet në Elbasan, Shqipëria të prodhojë mbi 100 mijë ton ferrokrom. Pra, do të shesim me çmime jashtëzakonisht të larta dhe në tregje të afërta si Europa dhe jo më vetëm në Lindjen e Largët, siç shkojnë zakonisht mineralet e ngurta apo thjesht kromi deri diku i pasuruar.

Zëri i Amerikës: Ndoshta një pjesë e këtyre burimeve kanë shterruar, minerale të ngurta dhe të lëngshme. Ato po shfrytëzohen prej 70-80 vjetësh...

Damian Gjiknuri: Një pjesë e burimeve janë shfrytëzuar dhe një pjesë e burimeve minerare mund të shterrojnë pasi nuk janë të pashterrshme. Investimet që po bëhen në industrinë e kromit në Bulqizë nga koncesionari aktual, pra hapja e pusit të thellësisë, i shtojnë mbi 20 vjet jetë minierës së Bulqizës. Në mungesë të këtij investimi, ajo për disa vite ishte drejt fundit. Ne këmbëngulëm që kompania të investonte në atë pus për thellësi të re, sipas kontratës. Shtresat e reja të pashfrytëzuara mund të shkojnë mbi 2 milionë ton çka e shton jetëgjatësinë e minierës edhe për 20 vjet të tjera pasi investimet që po kryhen garantojnë jetëgjatësinë e sektorit minerar. Të njëjtën gjë mund të themi te industria e bakrit. Ka kërkesa për kërkim - zbulim, mendoj se Shqipëria ka një rezervë shumë të madhe të hekur-nikelit. Nikeli është një metal me interes në të ardhmen dhe tregu ka kërkesa interesante për të. Do investime për sa i përket përpunimit të tij derisa të bëhet i tregtueshëm, por po punojmë në këtë fushë me investitorë të huaj, në mënyrë që edhe nikeli të ketë fushën e vet në ekonomi dhe punësim.

Zëri i Amerikës: Po nafta dhe gazi, si paraqiten? Janë disa zona të shfrytëzuar fort për shumë dekada, por ka edhe burime të reja.

Damian Gjiknuri: E ardhmja e naftës vendase është e mirë dhe e sigurtë. Kjo do të varet edhe nga zbulimet e reja, por disa elementë janë shumë shpresëdhënës. Së pari, prodhimi i naftës sa vjen e shtohet në Shqipëri falë punës së madhe, pavarësisht dështimeve që ka patur në sektor në të shkuarën. Nga ana tjetër, kemi zbulimet që ka bërë kompania SHELL dhe Petromanas të cilat janë në fazën e vlerësimit të rezervuarit dhe kjo do të dojë kohë, por mendohet se do të jetë një basen shumë i mirë në tokë. Kjo do të sjellë rritje të prodhimit të naftës dhe një shtim të burimeve për ekonominë e vendit. Nga ana tjetër, në bisedimet e fundit për blloqet e reja janë ofruar përsëri kompani shumë serioze. SHELL ka marrë një bllok shtesë për kërkim dhe për këtë jemi krenarë, që një kompani e tillë vazhdon ta shohë Shqipërinë me interes. Është afruar edhe një tjetër kompani e fuqishme izraelite, e cila në zonën mesdhetare njihet si një nga lideret e prodhimit sidomos të gazit. Ajo është kompani e Delek Group, një kompani shumë serioze dhe e listuar në bursë. Pikërisht një nga synimet e qeverisë, deklaruar që në fillim, ishte afrimi në naftë i kompanive me histori, që kanë përvojë në industri dhe janë të njohura. Ka ndodhur shpesh më parë, që fusha të Shqipërisë kanë rënë në dorë të ca njerëzve thjesht tregtarë letrash, që vinin gjoja për të bërë sizmikë dhe mundoheshin t’ia shisnin letrat dikujt tjetër. Kjo ishte bërë një pengesë për të hyrë investitorët seriozë në Shqipëri. Dihet se çmimet e naftës kanë rënë shumë dhe interesi i kompanive rritet kur edhe çmimi i naftës rritet. Gjithësesi, kompani serioze, edhe në kushtet e çmimeve të ulta, kanë interes për të investuar në sektorin e naftës në Shqipëri. Kjo është shumë domethënëse për ne, po të shohësh se në shumë vende të botës ka një tërheqje në investimet për kërkime zonash të reja. Naftë është zbuluar shumë këto vitet e fundit dhe çmimet e saj janë luhatur shumë.

Zëri i Amerikës: Po me energjitikën si po veproni?

Damian Gjiknuri: Energjitika ishte barra më e rëndë që trashëgoi kjo qeveri. Borxhet në sektorin energjitik përbënin 7-8 për qind të PBB-së. Qe një situatë katastrofale. Sektori i shpërndarjes nuk zotërohej nga qeveria dhe palët ishin në një konflikt të thellë ligjor me ish-investitorët çekë. Humbjet ishin alarmante; gati 46 për qind e energjisë së hedhur në rrjet nuk materializohej në para, pra vidhej e shpërdorohej. Buxheti i Shtetit ishte krejt i ekspozuar ndaj gjithë kësaj grope që kishte krijuar sektori energjitik. Një arritje shumë e madhe është ndalimi i gjithë kësaj hemoragjie dhe kthesa pozitive për ringritjen e sektorit. Ne, tashmë kemi një plan të qartë për rimëkëmbjen, hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Morëm në pronësi të gjithë sektorin e shpërndarjes dhe kërkuam financime për të, të cilat i shoqëruam me reforma. Rezultatet janë mbresëlënëse, ndonëse sektori nuk është çliruar krejt nga problemet. Mjafton tu them se vetëm në këto 7 muaj të pare të vitit 2015 janë arkëtuar 104 milionë dollarë më shumë se periudha e një viti më parë. Lufta ndaj informalitetit është gërshetuar me ndërgjegjësimin e qytetarëve. Humbjet janë reduktuar ndjeshëm; nga humbjet 45 për qind në 2013 tani ato janë 30-31 për qind. Tani sektori po mban vetveten, sepse deri tani ka qenë i subvencionuar, ka thithur para dhe garanci që mund të shkonin në sektorë të tjerë. Jemi në një plan të reformave strukturore, të cilat sjellin rezultat të ngadaltë dhe të sigurtë. Në sistemin energjitik shqiptar, ka qysh në 1970 që nuk është investuar, kur në fakt ato janë struktura që kërkojnë vazhdimisht investime. Paratë për këto investime tani po dalin nga arkëtimet e rritura. Në 4 vitet e ardhshme, vetëm sektori i shpërndarjes do të marrë çdo vit 50 milionë dollarë investime. Reformuam tarifat e energjisë, ulëm abuzimet, rritëm arkëtimet dhe tani sektori i energjisë elektrike po merr investime në të gjithë territorin.

Tani po krijojmë një treg dhe bursë rajonale të energjisë me ndihmën e qeverisë norvegjeze. Kjo do të hapë mundësi edhe për investitorët privatë. Qeveria e mëparshme dha në mënyrë kaotike një numër të palimituar licensash për ndërtim hidrocentralesh pa studiuar ndikimin ekonomik dhe atë mjedisor. Nuk u mendua fare për të ardhmen. Ato duhet të ishin pjesë e një modeli ekonomik të caktuar, por për këtë nuk u mendua. Kjo qeveri po përballet me faturat e politikave të papërgjegjshme. Prej reformave që ndoqëm, ne siguruam arkëtime më të mira, po gjëjmë një gjuhë mirëkuptimi me ata investitorë që kanë realizuar investime. Kemi bërë një marrëveshje, rishikuam edhe tarifat e blerjes së energjisë nga hidrocentralet private për ti sjellë në parametra të pranueshëm dhe për ti përgatitur këta investitorë për të dalë në treg. Synimi i vërtetë i investitorëve, sidomos në pjesën e energjisë është konkurueshmëria, dhe qëndrueshmëria e tyre afatgjatë në biznes, pra të konkurrojnë një treg likuid të energjisë.

Zëri i Amerikës: Po interkonektiviteti elektrik me rajonin, si është? Bashkëpunimi me Kosovësn, me Maqedoninë, me Malin e Zi dhe Greqinë?

Damian Giknuri: Të gjitha vendet e Europës Juglindore janë në një proces integrues jo vetëm fizik, por edhe në aspektin rregullator; ato duhet të bëjnë të ngjashme ligjet dhe rregullat me ato të BE-së. Kjo do të sjellë atë që vet vendet e Ballkanit do të krijojnë një treg energjie. Tani që flasim, kjo po ndodh; një zyrë në Podgoricë koordinon dhe alokon kapacitetet transmetuese të rajonit. Kjo ka sjellë ulje të kostove të transmetimit të energjisë, pra edhe përfitim për konsumatorët. Vendet e rajonit po punojnë për ndërlidhjen mes tyre. Shqipëria nuk ka mbetur prapa por ka investuar dhe po investon për konektivitetin më të mirë. Linja me Malin e Zi është funksionale për disa vite, po punohet për linjën me Kosovën, e cila përfundon në vitin 2016. Në Vjenë u sigurua plotësisht financimi, edhe me një pjesë të parave grant është projekti për interkonektivitetin me Maqedoninë. Projekti i tërë kushton 87 milionë euro sepse linja do të vijë deri në Fier. Kemi bërë një zgjatim të projektit deri në Fier sepse në perspektivë hapet edhe mundësia e lidhjes me Italinë me një linjë nëndetare. Për të patur interes do të duhej një treg më i madh se sa Shqipëria, ndaj lidhja me Italinë dhe Maqedoninë krijon mundësinë edhe në tregun bullgar, një nga prodhuesit më të mëdhej të energjisë elektrike. Kjo rrit mundësinë e kapaciteteve të tepërta dhe burimeve të tjera shtesë në Shqipëri prej investimeve që do të vazhdojnë.

Me lidhjen fizike krijohen edhe mundësitë e një tregu të përbashkët. Me harmonizimin e rregulloreve, legjislacionit dhe tarifave të tregtisë “Cross-Border”, ka më shumë mundësi që Ballkani të harmonizojë burimet energjitike mes vetes; Shqipëria me energji ujore, Kosova dhe Serbia me energji qymyrgurore. Kjo do të rregullojë bilancin energjitik mes vendeve dhe do të harmonizojë konsumin e energjisë edhe në bazë të fluktuimeve natyrale, pra atëherë kur nuk ka ujë të përdoret qymyri etj. Këto janë drejtimet për të cilat Shqipëria po punon dhe është në avangardë. Jemi vendi i dytë në Europën Juglindore që kemi miratuar një ligj për sektorin e energjisë sipas standarteve të BE-së. Kemi nisur punën reale për krijimin e një tregu rajonal të energjisë por për të gjitha këto reforma nevojitet disiplina financiare.

Zëri i Amerikës: Si po ecën puna me projektin TAP të gazit? Në fillim u pa me shpresë si një burim i madh punësimi, përfitmi etj.

Damian Gjiknuri: Puna ka filluar me hapjen e rrugëve, me ndërtimin e urave, pra pjesa infrastrukturore rrugore që krijon aksesin në kantier. Atje u zhvillua një ceremoni dhe sot që flasim aty po punohet. Po punohet në Skrapar, po punohet në Korçë, shumë shpejt do fillohet dhe në zonën e Fierit, pra ka filluar puna konkrete, paketa e parë e investimit që shkon rreth 70 milionë dollarë të cilat po hidhen në këtë drejtim. Nga ana tjetër, kompania TAP po zhvillon dhe prokurorimet për pjesët e tjera të projektit dhe në vitin 2016 parashikohet që të fillojë një intensitet më i madh pune me hapjen e vendeve për tubacionin, shtrimin e tubacionit, ndërtimin e stacioneve të presionit të pikave të daljes, një në Fier një në Korçë. Pra, të gjitha këto janë një proces që do të zhvillohet me më shumë intensitet gjatë viteve 2016-2017 kur kulmon edhe puna e projektit. Realisht puna ka filluar dhe nga kjo pikëpamje patjetër është një burim i rëndësishem investimi në Shqipëri edhe për punësimin e njerëzve edhe për investimin e huaj. Po kompletojmë një projekt shumë të rëndësishëm për Evropën dhe Shqipërinë siç është Korridori i Jugut pasi dhe Shqipëria parashikohet të përfitojë nga ky projekt. Po punojmë që ne ta materializojmë interesin tonë në këtë projekt duke përfunduar masterplanin e gazit dhe duke diskutuar me TAP-in për një mbështetje financiare edhe për lidhjen e termocentralit të Vlorës me pikën e daljes në Fier. Kjo në mënyrë që dhe termocentrali i destinuar për të punuar me naftë dhe me gaz, po që gaz s'kishte në Shqipëri, të mund të vihet në punë me gaz dhe të shërbejë si një kapacitet shtesë suporti për sistemin energjitik shqiptar, në raste të konsumit pik apo për nevojat kur situatat hidrike nuk janë të favorshme.

Zëri i Amerikës: Sa shpejt mund të realizohet vërtet instalimi i gjithë këtij rrjeti gazifikues në Shqipëri?

Damian Gjiknuri: Ky është një proces që do të marrë kohë. Pikërisht prandaj po bëjmë një studim parafizibiliteti dhe më vonë do të bëjmë një studim fizibiliteti. Kemi marë dhe një grant nga qeveria zviceriane për ndërtimin e kapaciteteve të gazit dhe insfrastruktures së madhe. Mbi të gjitha për kapacitetet njerëzore dhe është një proces i cili do të dojë kohë siç është dashur edhe në vende të tjera që kanë përjetuar të njëjtin problem si Shqipëria gjatë gazifikimit të vetes. Kjo ka ndodhur në Turqi ku dhe ky vend ka pasur periudhat e veta kaotike apo dhe raste të tjera ku përdorimi i gazit ka filluar të shtrihet në shumë sektore të ekonomisë por dhe te konsumatori familjar. Kuptohet është një proces që do të marë kohë por është e rëndësishme që Shqipërisë do ti hapë një sektor të ri të ekonomisë siç është gazi natyror. Do të jetë jo vetëm transmetimi, nesër do të jetë konsumi, qoftë për energji elektrike, për industri dhe për familjarë.

XS
SM
MD
LG