Lidhje

Tregu rajonal i energjisë: Shqipëria sjell modelin skandinav


Shqipëria është duke projektuar tregun rajonal të energjisë elektrike, për të nxitur afrimin më të madh ekonomik në Europën Juglindore, sipas modelit të vendeve nordike.

Europa veriore ka krijuar një përvojë të frytshme prej disa dekadash me tregun rajonal të energjisë.

Një treg i ngjashëm energjie po ngrihet edhe në rajonin e Ballkanit.

Projekti parashikon liberalizimin e strukturave të tregut të energjisë dhe një bashkëpunim të ngushtë në këtë sektor.

Tregu i energjisë do t'i bëjë investimet më të qëndrueshme për këdo.

Me ndihmën e qeverisë norvegjeze dhe të komunitetit të energjisë Shqipëria po krijon tregun e energjisë dhe më pas bursën e energjisë elektrike.

Banka Botërore është gati të financojë ndërtimin faktik të tregut të energjisë pasi eksertët të projektojnë platformat me të dhënat shkencore nga gjithë rajoni.

Qeveria shqiptare është e vendosur të ecë drejt hapjes dhe liberalizimit të tregut të energjisë. Konsumatorët tani po e paguajnë energjinë. Ndërkohë po ndërtohen linjat e transmetimit me Malin e Zi, me Kosovën dhe pas nis linja me Maqedoninë.

Deri në vitin 2020 Shqipëria do të ketë ngritur linja elektrike me të gjithë vendet e rajonit, ndërkohë që po rindërton gjithë rrjetin e brendshëm të transmetimit dhe të shpërndarjes për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për të ulur humbjet apo vjedhjet.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë po i mbështet fuqishëm hapat e parë të Shqipërisë në ngritjen e tregut dhe bursës së energjisë, sepse sipas tij, ky është një projekt me rëndësi për integrimin e tregjeve rajonale.

“Integrimi me fqinjët nuk është një mundësi, - tha Andreas Pointvogel, përfaqësues i sekretariatit, - por është një detyrim për transformimin e rajonit dhe tregun e lirë e të rregullt. Konsumatorët kërkojnë një treg me rregulla dhe jo tregje të vogla e të thërrmuara e të ngatërruara”.

Sekretariati po jep çdo mbështetje, sepse edhe në Shqipëri të gjithë po e mbështesin projektin; qeveria dhe qarqet e biznesit, parlamenti dhe investitorët.

Ata duan një kuadër rregullator të qartë, një treg me rregulla, në një klimë më të qëndrueshme për punë dhe prodhim.

Në të ardhmen e afërt bashkë me tregun do të ndërtohet edhe bursa e energjisë dhe pse energjia të tregtohet brenda ditës, si e bëjnë shumë vende europiane.

E veçanta e kësaj nisme është fakti që hapat e para po i hedh Shqipëria, ndonëse është vendi më i prapambetur në këtë fushë për shkak të izolimit të diktaturës komuniste.

Në tregun e liberalizuar rajonal po përfshihet edhe Kosova dhe ky shihet si një hap thelbësor.

Tregu do të forcojë pozitën e Shqipërisë në tregun energjitik të Europës jugore, i cili është kërkuar nga investimet e huaja dhe vendase, të cilat duan të zgjerojnë më tej veprimtarinë e tyre prodhuese.

Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk e ka të lehtë për të ngritur një treg energjie, por kompanitë e mëdha po e kërkojnë këtë mbështetje, sepse deri tani e kanë ndërmarrë vetë rrezikun e krijimit të një tregu për nevojat e tyre.

Shqipëria po harton planin kombëtar për energjitë e rinovueshme ku po studiohen edhe burime të tjera të energjisë.

Ajo po lë pas kohët e vështira të vjedhjes dhe mospagimit masiv deri në 35-40 për qind të energjisë elektrike.

Reformimi i sektorit energjitik është prej shumë vitesh kërkesa kryesore e imvestuesve të huaj dhe institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore.

XS
SM
MD
LG