Lidhje

SHBA: Të priten lidhjet me krimin

  • Armand Mero

Ambasadori amerikan në OSBE Daniel Baer: Në zgjedhjet e fundit, në lista mbetën ende disa individë të lidhur me aktivitete kriminale. Eleminimi i korrupsionit dhe largimi i ndikimeve kriminale nga qeveria është thelbësor

Ambasadori amerikan në OSBE, Daniel Baer në fjalën e tij në Këshillin e Përhershëm të kësaj organizate në Vjenë këmbënguli në nevojën që politika shqiptare të këpusë lidhjet e saj me krimin. Ambasadori Baer, i bëri komentet e tij, pas prezantimit të raportit të përvitshëm të drejtuesit të pranisë së OSBE-së në Shqipëri Florian Raunig, mbi situatën në vend.

“Shtetet e Bashkuara nënvizojnë se pavarësisht progresit të bërë me heqjen e disa individëve të lidhur me aktivitete kriminale nga listat e kandidatëve, disa të tjerë mbetën. Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të këmbëngulin që partitë e tyre t’u ofrojnë kandidatë me reputacion që do të mund ta çojnë përpara vendin”, u shpreh ambasadori amerikan, ndërsa shtoi se “eleminimi i korrupsionit dhe largimi i ndikimeve kriminale nga qeveria është thelbësore për zhvillimin e qeverisjes së mirë dhe institucioneve demokratike në Shqipëri”. Sipas tij “rruga më efikase për ta siguruar këtë është që Shqipëria të kryejë reforma sistemike kushtetuese dhe ligjore, që do të parandalojnë kandidatët që janë të lidhur me krimin që të përfshihen në listat e votimit”.

Ambasadori amerikan theksoi gjithashtu rëndësinë e reformës në Drejtësi. “Shtetet e Bashkuara inkurajojnë qeverinë dhe parlamentin që të mbështesin angazhimin e tyre për ta bërë reformën në Drejtësi një kryeprioritet, me vepra dhe jo vetëm me fjalë”, u shpreh ambasadori Baer, ndërsa nënvizoi “rëndësinë e përfshirjes së opozitës në këtë proces. Reforma duhet të vazhdojë në frymën e një angazhimi multipartiak dhe në të njejtën kohë është me rëndësi që asnjëra nga palët të mos e bllokojë përparimin e mëtejshëm”, theksoi ai.

Sipas ambasadorit amerikan “populli shqiptar ka pritur për një kohë të gjatë një gjyqësor të paanshëm, një sistem gjyqësor në të cilin gjykatësit dhe prokurorët të promovojnë Shtetin e së drejtës, dhe kanë përgjegjësi për sjelljet e tyre. SHtetet e Bashkuara besojnë fort se shqiptarët e të gjithë krahëve dhe interesave duhet të përballen me sfidën e reformës gjyqësore, përpara se vendi të mund të bëjë një tjetër hap demokratik përpara”.

Për zgjedhjet e 21 qershorit, ndërsa ju referua raportit të ambasadori të OSBE-së në Shqipëri, përfaqësuesi amerikan tha se ato “ishin përgjithësisht pozitive, pa shfaqja te dhunshme dhe qytetarët shqiptarë patën mundësinë të shprehnin të lirë votën. Megjithatë – vijoi ai - misioni i ODIHR-it gjeti një numër parregullsish, si votimi në grup, dyshimet e përhapura për presion mbi votuesit dhe blerjen e votës dhe politizimi i institucioneve shtetërore dhe medias”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG