Lidhje

Kopenhaga, qyteti i gjelbër i Evropës


Banorët e Kopenhagës kanë me se të krenohen për këtë Vit të Ri, pasi qyteti i tyre u shpall si Kryeqyteti i Gjelbër i Bashkimit Evropian për 2014-ën. Komisioni Evropian theksoi transportin e gjelbër, ujin e pastër, dhe synimin për të eliminuar lëshimet e dioksidit të karbonit deri më 2025, kur i dha kryeqytetit danez këtë çmim.

Është një kënaqësi për çdo notar urban - të jetë në gjendje të notojë në qendër të qytetit. Në shumicën e vendeve, kjo do të ishte vetëm një ëndërr. Por në Kopenhagë, notarët hidhen në ujë në mes të qytetit.

Uji i pastër këtu ishte një nga arsyet që Komisioni Evropian e zgjodhi kryeqytetin danez si Kryeqytetin e Gjelbër të Bashkimit Evropian për vitin 2014, në vend të 18 qytetesh të tjerë.

Në vitin 1995, rreth 93 kanale derdhnin ujrat e zeza në zonën e portit të Kopenhagës, një përzjerje e ujërave të zeza, derdhjeve të naftës, dhe mbeturinave industriale.

Që atëherë komuna ndërtoi një sistem rezervuarësh shiu dhe mbylli pothuajse të gjitha kanalet e tejmbushur, dhe në vitin 2002, uji u vlerësua si i pastër për të notuar.
Komisioni Evropian jep çmimin “Kryeqyteti i Gjelbër” që nga viti 2010.
Fituesit e kaluar përfshijnë Stokholmin (Suedi), Hamburgun (Gjermani), Vitoria Gasteizin (Spanjë) dhe Nantën (Francë).

Çmimi i jepet një qyteti që ka arritur standarte të larta mjedisore në mënyrë të qëndrueshme. Ideja është që qytetet fituese mund të punojnë si modele për të tjerët në Evropë që janë duke u përpjekur për të përmirësuar gjendjen e tyre.
Casper Harboe është drejtuesi i programit për kërkesën e Qytetit të Kopenhagës për Çmimin Kryeqyteti i Gjelbër Evropian.

“Kopenhaga është një qytet i gjelbër sepse për vite me rradhë, kemi patur një udhëheqje të fuqishme politike dhe vullnet politik për ta bërë qytetitin vend të gjelbër.”

Gjatë dekadave të fundit, politikanët kanë punuar shumë për ta bërë Kopenhagën sa më të përshtatshme për çiklistët vendas. Kur i dha çmimin qytetit, Komisioni Evropian theksoi përdorimin e transportit të gjelbër në Kopenhagë, sidomos përdorimin e lartë të biçikletave.

Sipas Qytetit të Kopenhagës, rreth 35 përqind të njerëzve shkojnë rregullisht në punë me biçikletë. Qëllimi është që shifra të rritet deri në 50 përqind në vitin 2015.
Kopenhaga synon të bëhet kryeqyteti i parë ku përqindja e dioksidi karboni deri më 2025 të jetë zero.

Që nga viti 2005, kur u vendos ky qëllim, qyteti ka arritur ta ulë me 20 përqind lëshimeine dioksidit të karbonit. Pjesë e këtij projekti është ndryshimi nga makina me naftë në makina elektrike. Qëllimi është që 85 përqind e makinave të jenë elektrike.

Makinat elektrike tashmë janë të përjashtuara nga taksat e regjistrimit dhe plani është që të ofrohet parkim falas për to në vitet e ardhshme. Sipas Julie Lygne, menaxheres së projekit të makinave elektrike të Qytetit të Kopenhagës, blerja e këtyre makinave do të ndryshojë prirjet për mirë:

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se kur merret një vendim aq ambicioz, është, në një farë mënyre, edhe një ndryshim kulturor. Kështu që, njerëzit që përdornin makina të zakonshme, tani duhet ta planifikojnë kohën e tyre ndryshe kur përdorin makina elektrike.”

Një numër aktivitetesh do të mbahen në Kopenhagë në vitin 2014 me rastin e fitimit të titullit “Kryeqyteti i Gjelbër i Bashkimit Evropian.” Por a do t’i vënë re banorët e qytetit? Mbase ata mund të jenë të zënë, duke notuar në qendër të tij ose duke ngarë biçikletat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG