Lidhje

Filmi i ri Vajza Daneze


Filmi The Danish Girl, Vajza Daneze i kineastit Tom Hooper rrëfen historinë e dashurisë mes Einar dhe Gerda Wegener, piktorë të famshëm që jetonin në Kopenhagë në vitet 1920.

Marrëdhënia mes tyre vihet në provë kur Einar ndjen se ka identitetin e një gruaje në trupin e një burri dhe vendos të bëjë operacionin për ndërrim seksi, një zgjedhje e padëgjuar në atë kohë. Filmi e merr frymëzimin nga ngjarje reale.

Duket se asgjë nuk mund ta prekë dashurinë mes piktorit të pejsazheve Einar Wegener dhe gruas së tij, piktores së portreteve Gerda. Por marrëdhënia e tyre kalon nëpër një transformim të madh kur Einar zbulon anën e tij femërore, kur vishet para të shoqes si grua.

Kjo lojë në dukje e sinqertë, bëhet një krizë ekzistenciale për Einarin, pasi ai shkon në një mbrëmje i maskuar si një grua e quajtur Lili.

Gradualisht Einar merr identitetin e Lilit dhe historia shndërrohet nga lidhja mes çiftit në dashurinë mes dy individëve, ku secili zgjedh rrugën individuale, duke arritur pikën kulmore me operacionin seksual të Lilit. Eddie Redmayne është i përkryer në interpretimin e Lilit:

“Një nga aspektet e veçanta të kësaj historie është se tregon sa e thellë është dashuria. Sa e mrekullueshme mund të jetë një ndjenjë që nuk kufizohet nga gjinia, seksualiteti, feja apo asgjë tjetër. Një lidhje e shpirtit”.

Redmayne, i cili fitoi Cmimin Oscar vjet për interpretimin e problemeve shëndetësore të fizikanit Stephen Hawkings, është po aq i besueshëm në transformimin nga Einar në Lili.

Metamorfoza është e plotë edhe për shikuesin që e kupton se Lili ishte gjithmonë e pranishme, e fshehur brenda identitetit të Einarit. Megjithëse një interpretim i vështirë, personazhi i Lilit është me shumë kuptim për aktorin.

“Në atë kohë kur nuk kishte shembuj pararendës, kur nuk dihej që ndokush ishte transgender, ajo pati guximin të ndiqte një jetë të vërtetë”.

Aktorja Alicia Vikander është po aq mbresëlënëse në rolin e Gerdas, një artiste me shpirt të lirë, e cila megjithëse dashuron Einarin, pranon shndërrimin e tij në Lilin dhe e mbështet Lilin megjithëse vuan emocionalisht.

Aktorja i shpreh ndjenjat dhe dhimbjet më me forcë se Redmayne. Ajo merr energjinë e forcës mashkullore në film. Në rolin e saj ajo shndërrohet nga bashkëshorte në një mike dhe të dashur për personazhin e Redmayn-it.

XS
SM
MD
LG