Lidhje

Darka e përvitshme e korrespondentëve të Shtëpisë Bardhë


Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë organizoi të shtunën në Uashington darkën e përvitshme, por për herë të parë që në vitet ’80-të nuk mori pjesë Presidenti amerikan. Presidenti Donald Trump e bojkotoi darkën e këtij viti duke përmendur përbuzjen e tij për mediat.

Presidenti Trump i ka quajtur mediat “të rreme”, “të pandershme” dhe madje edhe “armiq të popullit”.

Kreu i shoqatës së korrespondentëve, Jeff Mason, iu kundërvu akuzave:

“Është detyra jonë të raportojmë për faktet dhe përgjegjësinë e udhëheqësve. Këtë punë kemi. Ne nuk jemi ‘lajme të rreme’. Nuk jemi organizata të dështuara lajmesh dhe nuk jemi armiq të popullit amerikan”.

Zoti Mason tha se shtypi ka punuar shumë për të ndërtuar një marrëdhënie konstruktive me ekipin për mediat të zotit Trump.

Ai u shpreh se megjithatë shtypi nuk mund të anashkalojë “retorikën e përdorur nga Presidenti për atë çfarë jemi dhe çfarë bëjmë. Liria e shtypit është një gur themeli i demokracisë sonë; ta dëmtosh atë nëpërmjet delegjitimimit të gazetarëve është e rrezikshme për një republikë të shëndetshme”.

Gazetarë të njohur të Uashingtonit kremtuan Amendamentin e Parë për lirinë e shprehjes, si dhe promovuan lirinë e shtypit dhe përgjegjshmërinë, duke sfiduar kështu akuzat e zotit Trump.

“Armiku është fshehtësia e paarsyeshme e qeverisë, ndërsa mundohemi të kuptojmë se cila mund të jetë e vërteta. Dhe kur fshehtësia kombinohet me gënjeshtra, atëherë ke përpara një pistë të qartë që mund të ndjekësh. Ndiq gjurmët financiare, por edhe gjurmët e gënjeshtrave”, tha gazetari i çështjes “Watergate”, Carl Bernstein.

Puna e Carl Bernstein, si gazetar i “The Washington Post”, dhe kolegut të tij, gazetarit investigativ Bob Woodward, çoi në dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon mbi 40 vjet më parë.

“Ashtu si politikanët dhe presidentët, edhe ne shpesh bëjmë gabime dhe e teprojmë. Kur kjo ndodh, duhet të pranojmë përgjegjësinë. Përpjekjet e sotshme për të gjetur versionin më të pranueshëm të së vërtetës bëhen me vullnet të mirë. Zoti President, mediat nuk janë ‘fake news’ ”, tha gazetari investigativ i çështjes “Watergate”, Bob Woodward.

Zoti Trump është i pari President amerikan që nuk merr pjesë në këtë aktivitet, që nga viti 1981 kur ishte President Ronald Reagani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG