Lidhje

DASH: Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri


Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Gjendjen e të Drejtave të Njeriut nëpër botë gjatë vitit 2012.

Për Shqipërinë raporti thekson se korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor mbetet një problem serioz. Reforma, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, u ndërpre ndërkohë që partitë poliltike e përqendruan vëmendjen në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Institucionet shtetërore tepër të ndara në linja partiake, duke përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë minuar të drejtat e qytetarëve për të sifiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverinë e tyre, thekson raporti.

Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit nga partia në fuqi gjatë kësaj periudhe pakësoi edhe më shumë besimin e publikut në pavarësinë e institucioneve të vendit, thuhet në raport. Marxhinalizimi dhe abuzimi i komuniteteve rome dhe egjiptiane të Ballkanit ishin probleme të mprehta të të drejtave të njeriut.

Rrahjet nga ana e policisë dhe forma të tjera keqtrajtimesh të të pandehurve gjatë mbajtjes nën arrest dhe hetimeve, disa herë për t’i detyruar të rrëfeheshin, ishin gjithashtu probleme serioze, vë në dukje raporti.

Probleme të tjera të të drejtave të njeriut pëfshinë dhunën në familje dhe diskriminimin ndaj grave, abuzimet e fëmijëve dhe diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe indentitetit gjinor. Vazhduan gjithashtu të njoftohen raste të trafikimit njerëzor.

Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarët për abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme. Shumë zyrtarë qeveritarë dhe politikanë në përgjithësi, si dhe gjykatës, gëzojnë imunitet nga ndjekja ligjore dhe ata që kanë interesa të forta biznesi, shpesh janë në gjendje të shmangin ndëshkimet. Disa zyrtarë të niveleve të ulta u ndëshkuan për abuzime, ndërsa disa zyrtarë qeveritarë që qartazi ishin të implikuar në raste abuzive, u larguan nga një post për t’iu dhënë një post tjetër qeveritar pa u ndëshkuar, thuhet në Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut nëpër botë në vitin 2012, në kapitulin për Shqipërinë.
XS
SM
MD
LG