Lidhje

DASH paralajmëron amerikanët


Shtetet e Bashkuara po u thonë qytetarëve amerikanë jashtë vendit të kenë kujdes për shkak të sulmeve të mundshme terroriste, dhe në të njëjtën kohë po mbyllin 22 ambasada dhe konsullata deri të dielën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Seldin, tregon më hollësisht rreth paralajmërimeve nga Departamenti i Shtetit.

Po shtohen shqetësimet se shtetasit amerikanë do të jenë përsëri objektiv i ndonjë sulmi. Departamenti i Shtetit u bëri thirrje shtetasve dje të kenë kujdes kur të udhëtojnë, duke paralajmëruar se al-Qaida dhe bashkëpunëtorët e saj po planifikojnë sulme, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

Kërcënimet mund të ndodhin në vendet ku mblidhen amerikanët. Ka edhe dyshime se terroristët mund të kenë në shënjestër godina zyrtare, duke detyruar Departamentin e Shtetit të mbyll disa ambasada.

“Departamenti ka marrë informacion i cili, për shkak të kujdesit për punonjësit tanë dhe njerëz të tjerë të cilët mund të vizitojnë qendrat tona, tregon se duhet t’i marrim këto masa.”


Departamenti i Shtetit po mbyll gjithsej 22 ambasada dhe konsullata deri të dielën, përfshirë ato në Egjipt, Irak, dhe Jemen.

Pas sulmit të shtatorit të kaluar në misionin amerikan në Benghazi, Libi, i cili rezultoi në vdekjen e ambasadorit dhe tre amerikanëve të tjerë, analisti James Carafano nga Fondacioni Heritage thotë se një sulm tjetër është thjesht një çështje kohe.

“Mendoj se ajo që ndodhi në Benghazi u hapi sytë. Ata panë se si reagoi media, dhe kuptuan dobësinë dhe vështirësitë që i solli Shteteve të Bashkuara. Kështu që, nuk duhet të çuditemi nëse ata duan të sulmojnë një ambasadë tjetër.”

Zyrtarët thonë se sulmet e reja mund të vijnë nga Gadishulli Arabik. Një nga degët më të njohura të al-Qaidas, është aktive në Jemen edhe pse grupi ka qenë nën presion nga ushtria e Jemenisë dhe sulmet e avionëve amerikanë pa pilot.

Departamenti i Shtetit nuk ka thënë nëse ajo degë është shkas për kërcënimet e fundit. Por për ata që studiojnë rajonin, po aq shqetësuese është nevoja për të mbyllur ambasadat, qoftë edhe për një ditë.

“Shtetet e Bashkuara kanë prezencë jashtë që të angazhohen me botën. Nuk mund ta bësh atë duke u fshehur në një bunkier.”

Zoti Graeme Bannerman nga Instituti i Lindjes së Mesme thotë se problemet nuk mund të zgjidhen pa ambasada të hapura.

“Ne që vazhdojmë të punojmë në rajon besojmë se marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Lindjes së Mesme vlen dhe se ambasadat janë atje sepse ne besojmë se është e vlefshme.”

Po dje, zyra britanike e punëve të jashtme deklaroi se ambasada e saj në Jemen do të jetë e mbyllur me 4 dhe 5 gusht. Paralajmërimi për kujdes në udhëtime për amerikanët është për të gjithë muajin gusht. Qytetarëve amerikanë po u thuhet të jenë të kujdsesshëm në transportin publik dhe në vendet turistike. Dhe Departamenti i Shtetit thotë se ka mundësi që të mbyllen përsëri disa nga ambasadat.
XS
SM
MD
LG