Lidhje

Të drejtat e njeriut në Shqipëri


Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi sot raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë. Në vazhdim, një përbledhje e raportit për gjendjen në Shqipëri:


Më 8 maj 2011, Shqipëria mbajti zgjedhje vendore, të cilat Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), i cilësoi si konkurruese dhe transparente, por gjithsesi shumë polarizuese, për shkak të mosbesimit mes partive politike në qeveri dhe në opozitë.

Korrupsioni në të gjitha degët e qeverisjes, dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor, mbeti një problem serioz. Një mjedis tepër i polarizuar elektoral i karakterizuar nga incidente mashtrimi dhe numërime të kontestuara penguan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë e tyre lirisht. Probleme të rëndësishme gjatë vitit të kaluar ishin gjithashtu rrahjet nga policia dhe keqtrajtime të tjera të personave të dyshuar gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, nganjëherë për të nxjerrë pohime.

Probleme të tjera të të drejtave të njeriut gjatë vitit të kaluar përfshinin disa raste keqtrajtimesh fizike në qendrat e paraburgimit të policisë, dhunë familjare dhe diskriminim kundër grave e fëmijëve, abuzime dhe diskriminim në bazë të statusit të pakicave etnike dhe të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Pati gjithashtu raporte për raste trafikimi personash.

Qeveria jo gjithmonë ndërmori hapa për të ndjekur penalisht zyrtarët të cilët kryen abuzime. Shumë zyrtarë të qeverisë gëzuan imunitet nga ndjekja penale, ndërsa ata që kishin interesa të fuqishme biznesi shpesh qenë në gjendje të shmangnin ndjekjen. Disa zyrtarë të nivelit më të ulët u dënuan për abuzime, por mosndëshkimi i policisë për abuzimet fizike vazhdoi.

Gjatë vitit 2011 pati një incident në të cilin forcat qeveritare të sigurisë vranë katër persona. Më 21 janar, pjestarë të gardës së republikës shtinë ndaj protestuesve gjatë një demonstrate të dhunshme të opozitës përballë Kryeministrisë. Katër protestues u vranë gjatë demonstratës. Prokurorja e Përgjithshme ka hapur një hetim rreth vrasjeve. Hetimet vazhduan ngadalë. Deri në fund të vitit, asnjë nga pjestarët e Gardës apo nga zyrtarët e qeverisë nuk ishte paditur për rolet e tyre në vrasjet që ndodhën.

Gjatë protestës së dhunshme të 21 janarit, thuhet në raportin për Shqipërinë, demonstruesit provokuan dhe sulmuan disa policë. Disa prej policëve u kundërpërgjigjën duke i rrahur ashpër protestuesit. Dhjetra policë dhe protestues u plagosën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG