Lidhje

DASH: Shqipëria, vend tranzit për narkotikët


droga shqiperi

droga shqiperi

Në një raport të fundit, Departamenti amerikan i Shtetit e cilëson Shqipërinë si vend tranziti dhe destinacion për kanabisin, heroinën dhe kokainën. Në raport thuhet ndërkohë se autoritetet kanë shtuar arrestimet dhe konfiskimet e lëndëve narkotike.

Në raportin e përvitshëm për strategjinë e luftës kundër narkotikëve, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Shqipëria është vend tranziti dhe destinacion për kanabisin, heroinën dhe kokainën si dhe burim për kanabisin që shkon në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në raport thuhet se, si rrjedhojë e teknikave më të mira të përdorura nga policia, gjatë vitit 2012, autoritetet e Shqipërisë realizuan një shtim të ndjeshëm në konfiskimin e lëndëve narkotike dhe në arrestimet e bëra. Në krahasim me vitin 2011, konfiskimet e marihuanës u rritën 175 përqind. Por sipas raportit, kjo flet edhe për një shtim të prodhimit të marihuanës brenda vendit në krahasim me vitet e mëparshme.

Provat tregojnë se rrjetet e trafikimit po përfitojnë ndoshta nga rënia e aktivitetit policor në vendet fqinje, duke e anashkaluar Shqipërinë, e cila prej një kohe të gjatë shërbente si vend kalimi për lëndët narkotike që hynin në Evropën Perëndimore, thuhet në raport.

Sipas raportit, në Shqipëri konsumimi i narkotikëve të tjerë, përveç marihuanës nuk duket të jetë i përhapur.

Gjatë vitit 2012, thuhet në raport, Shqipëria vazhdoi t'i përmirësojë përpjekjet kundër narkotikëve duke hartuar edhe një strategji kombëtare për këtë qëllim. Statistikat e policisë shqiptare tregojnë se gjatë vitit të kaluar u kapën rreth 21.2 ton kanabis, rreth dyfishi i vitit 2011. Edhe sasitë e heroinës dhe kokainës së kapur u dyfishuan, përkatësisht në 87.7 dhe 4.6 kilogram. Megjithë rritjen e konfiskimit të narkotikëve, numri i personave të dënuar nga gjykatat për krime të tilla ishte i pakët, për shkak të institucioneve të dobëta gjyqësore dhe atyre të antikrimit. Në vitin 2012 Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërmori mbi 146 hetime por i paraqiti gjykatave vetëm 46 raste.
XS
SM
MD
LG