Lidhje

DASH: Raporti i të drejtave të njeriut në Kosovë


Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Gjendjen e të Drejtave të Njeriut nëpër botë gjatë vitit 2012.

Për Kosovën, raporti përfshin ndër problement më të rëndësishme të të drejtave të njeriut ngritjen e bllokimeve rrugore në pjesën veriore të vendit nga ekstremistët serbë të Kosovës, kufizimin e të drejtave bazë të njeriut, duke përfshrirë lirinë e lëvizjes dhe transportin e mallrave. Ekstremistët ushtruan gjithashtu dhunë dhe kërcënime kundër kundërshtarëve të tyre në vend dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë gjatë vitit 2012, thuhet në raport.

Një aspekt tjetër shqetësimesh serioze ishte diskriminimi social kundër komuniteteve pakicë; personave me aftësi të kufizuara; komunitetit të homoseksualëve, biseksualëve dhe atyre që kanë ndërruar gjininë; si dhe dhuna në familje e veçanërisht dhuna kundër grave.

Probleme të tjera të të drejtave të njeriut në Kosovë, thuhet në raport, janë korrupsioni, favorizimet në burgje, mbajtja për një kohë të gjatë nën arrest para gjyqit, mungesa e efikasitatit juridik, kërcënimi i medias nga zyrtarët publikë dhe elementet kriminalë, përparimi i pamjaftueshëm në kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre, korrupsioni në qarqet qeveritare, trafikimi i njerëzve dhe puna e fëmijëve në sektorin informal.

Qeveria mori masa për të gjykuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen abuzime, si në shërbimet e sigurimit, ashtu edhe në degë të tjera të qeverisë, megjithëse shumë prej zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion nuk janë ndëshkuar, thekson Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2012.
XS
SM
MD
LG