Lidhje

Raporti i DASH për trafikimin e qenieve njerëzore


Sekretari amerikan i shtetit John Kerry paraqiti sot Raportin e vitit 2016 për trafikimin e qënieve njerëzore në botë. Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë, vazhdojnë të jenë në grupin e dytë. Raporti i grupon shtetet në tri kategori: në të parën bëjnë pjesë shtetet, qeveritë e të cilave pëmbushin standartet minimale, në të dytën vendet që nuk i përmbushin plotësisht standartet, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t'i përmbushur dhe në të tretin janë vendet që nuk i plotësojnë standartet dhe që nuk bëjnë përpjekje.

Shqipëria

Edhe në raportin e këtij viti, Shqipëria vazhdon të klasifikohet në kategorinë e dytë përsa i përket trafikut me njerëz. Raporti thekson se Shqipëria mbetet vend burimi dhe destinacioni në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar si brenda vendit, ashtu edhe në vende fqinje si Kosova, Maqedonia, apo Greqia.

Raporti ngre problemin e fëmijëve të komunitetit rom e egjiptas që shfrytëzohen si lypës apo në forma të tjera pune të detyruar, si dhe problemin e grave e vajzave që shfrytëzohen në tregtinë e seksit, pasi martohen me shkesëri në Shqipëri ose jashtë vendit. Korrupsioni dhe lëvizjet e shumta në personelin policor e bëjnë joefikase punën e forcave të rendit kundër problemit, thuhet më tej në analizën e Departamentit të Shtetit.

Problemet që vazhdojnë e bëjnë të pamundur që Shqipëria të përmbushë standardet minimale për t’u klasifikuar si vend që ka eliminuar trafikun, por raporti vlerëson se po bëhen përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim.

Autoritetet kanë përmirësuar reagimin e forcave të rendit duke shpallur fajtorë më shumë trafikantë se në 2014, ndër të cilët edhe individë që detyronin fëmijët të punonin si lypsarë.

Por raporti nënvizon se ka rënë numri personave të identifikuar si viktima, apo i individëve të dyshuar si trafikantë të cilët ndiqen penalisht, krahasuar me 2014. Në 2016, qeveria dhe OJQ-të identifikuan 109 viktima të trafikut dhe individë të kërcënuar nga trafikimi, krahasuar me 125 në vitin 2014. Raporti thekson edhe problemin e mos-identifikimit të personave të shfrytëzuar si viktima të trafikimit, por thjesht si çështje të lidhura me “shfrytëzim prostitucioni”, duke e bërë situatën e viktimave më të vështirë si gjatë procesit të hetimeve, ashtu edhe më pas në akordimin e mbështetjes.

Në 2015, qeveria ndoqi penalisht 15 të dyshuar, krahasuar me 18 të ndjekur penalisht në 2014. Të gjithë personat e shpallur fajtorë për trafikim u dënuan me burgim nga 6-17 vjet, megjithëse dënimi për tre prej tyre ishte nën standardin minimal prej tetë vjetësh burgim.

Qeveria, thuhet në raportin e DASH mbi trafikun me njerëz, ka ulur fondet për strehat shtetërore për viktimat e trafikimit, megjithëse ka vazhduar të financojë rrogat për 12 punonjës në dy qendra strehimi. Qeveria ka vazhduar praktikën e hetimit dhe ndëshkimit të viktimave për akte penale që janë kryer gjatë kohës që ishin të trafikuar, megjithëse ligji i mbron viktimat nga ndjekja penale.

Raporti nënvizon se plani i veprimit 2014-2017 përsëri nuk ka pasur fonde të mjaftueshme. Departamenti i Shtetit rekomandon në raportin e tij që Shqipëria të ndalë ndëshkimet ndaj viktimave, për akte që janë kryer gjatë periudhës që ishin të shfrytëzuar nga trafikantë; të rrisë fondet e OJQ-ve për strehat e viktimave, të përmirësojë mbështetjen mjekësore, psikologjike dhe të riintegrimit për viktimat në streha. Raporti bën thirrje për infrastrukturë përmes shoqërisë civile për identifikimin e viktimave dhe për t’i mbështetur ata të raportojnë mbi trafikantët, zyrtarët e korruptuar dhe të përfshihen në procesin e hetimit të trafikantëve.

Në një deklaratë të ambasadës amerikanë në Tiranë të publikuar të enjten, thuhej se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë, shoqërinë civile dhe veçanërisht Koordinatoren Kombëtare Anti-Trafikim Elona Gjebrea për synimin e përbashkët të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Kosova

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi trafikun me njerëz e rendit Kosovën në kategorinë e dytë për nga përmasat e këtij problemi në vend. Raporti thekson se Kosova është vend burimi dhe destinacioni për viktimat e trafikut, të cilat përdoren në industrinë e seksit, si dhe në punë të detyruar, përfshirë në restorante.
Shumë nga viktimat, thuhet në raport, sillen në Kosovë me premtime të rreme për martesa, punë si këngëtare apo kërcimtare në klube, por më pas detyrohen me forcë të punojnë në industrinë e seksit në apartamenti, shtëpi private, klube nate apo sallone masazhi. Raporti vë në dukje problemin në rritje të përdorimit të medias sociale në rekrutimin e viktimave.

Përveç shfrytëzimit të viktimave në Kosovë, shumë shtetas të Kosovës shfrytëzohen në vende të ndryshme të Evropës nga trafikantët.

Megjithë problemet që e pengojnë Kosovën të klasifikohet si vend që përmbush standardet minimale të eliminimit të trafikut, Departamenti i Shtetit vlerëson përpjekjet që kanë bërë autoritetet e Prishtinës kundër këtij fenomeni. Qeveria ka liçencuar dy OJQ që merren ekskluzivisht me punën në mbështetje të viktimave, ka shtuar fondet për strehat e viktimave si dhe u ofron atyre shërbime. Po ashtu po bëhen përpjekje për të analizuar situatën në grupe demografike të rrezikuara për të diktuar individë në rrezik si dhe ka filluar zbatimi i një plani veprimi në shkallë kombëtare.

Megjithatë, qeveria ka identifikuar më pak viktima dhe më pak të dyshuar se një vit më parë. Po ashtu numri i personave të shpallur fajtorë vjet ra në nivelin më të ulët në pesë vjet. Autoritetet hetuan 165 raste të mundshme trafikimi, një rritje krahasuar me 155 raste në 2014. Qeveria hapi 53 procese të ndjekjes penale, një rënie e ndjeshme nga 93 të dyshuar në 33 çështje gjyqësore në 2014. Gjykatat shpallën fajtorë vetëm 13 trafikantë krahasuar me 41 në vitin 2014, duke arritur numrin më të ulët të vendimeve “fajtor” që nga viti 2010 në Kosovë.

Raporti nënvizon se zyrtarët e përfshirë në aktivitet të paligjshëm që lidhej me trafikun ishin ndëshkuar me masa administrative, por gjykatat i kishin shpallur të pafajshëm në lidhje me akuzat për trafikim. Në lidhje me këtë problem, raporti i Departamentit të Shtetit ndalet tek rastet e disa zyrtarëve komunalë të akuzuar për shfrytëzim të viktimave të trafikut me njerëz. Megjithëse disa prej tyre ishin bërë objekt ndjekjeje penale, gjykatat i kishin shpallur të pafajshëm ose kishin deklaruar mungesë provash. Në një rast tjetër, një polic i akuzuar për abuzim detyre dhe shfrytëzim të një viktime trafiku, ishte liruar nga akuzat për mungesë faktesh dhe ishte kthyer në detyrë. Në një rast tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Punës ishin akuzuar se kishin pajisur me leje pune viktima të trafikut. Megjithëse ishin ndëshkuar me gjobë, zyrtarët ishin liruar nga akuzat për përfshirje në trafik me njerëz dhe në krim të organizuar.

Më tej në raportin e DASH thuhet se megjithëse parashikohet me ligj, ende nuk ka një fond për kompensimin e viktimave.

Departamenti i Shtetit rekomandon në raportin e sivjetshëm që Kosova të hetojë intensivisht, të ndjekë penalisht dhe të ndëshkojë trafikantët, përfshirë zyrtarët e korruptuar, si dhe të japë dënime të konsiderueshme, përfshirë burgosje, për aktet e trafikimit. Po ashtu raporti rekomandon që të zbatohen plotësisht nenet e Ligjit të vitit 2015 për Kompensimin e Viktimave, përfshirë krijimin e një fondi për kompensimet dhe ndarjen e fondeve për viktimat; kualifikimin e avancuar për gjykatësit, hetuesit, prokurorët dhe policët që merren me këto raste; trajnimin e zyrtarëve që të identifikojnë viktimat e trafikut, si dhe për identifikimin e individëve të rrezikuar sidomos fëmijëve; shtimin e përpjekjeve për të ndihmuar fëmijët që shfrytëzohen si lypsarë; shqyrtimin e rasteve që presin prej kohësh lidhur me akuza për trafikim, në mënyrë që të hetohen plotësisht dyshime të tilla; ngritjen e strehëve për viktima në komunat veriore dhe krijimin e mundësive që viktimat të lëvizin lirisht mes strehëve.

XS
SM
MD
LG