Lidhje

Vdes ikona e muzikës David Bowie


U nda nga jeta legjenda britanike e muzikës rock, David Bowie.

Në faqet e tij në Facebook dhe në Twitter, thuhet se David Bowie "u nda nga jeta në paqe, ditën e dielë, i rrethuar nga familja e tij, pas një beteje të guximshme 18-mujore me kancerin."

Të premten, muzikanti i njohur si një nga ikonat e muzikës angleze, mbushi 69 vjeç dhe publikoi albumin e tij të 25-të, "Blackstar". Në këtë album, të cilin kritikët e muzikës e cilësuan si veprën e tij më të mirë në vite, Bowie ka gërshetuar elementë të muzikës xhaz dhe rock.

Ai lindi në lagjen jugore të Londrës, dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe quhej David Jones. Por më pas e ndërroi emrin në David Bowie.

Bowie ishte i njohur si eksplorues i disa zhanreve muzikore, si "hard rock", pop, muzikës "soul" dhe "punk" në një karrierë 40-vjeçare. Një njeri krijues deri në momentet e fundit të jetës së tij, ai ishte njëkohësisht, kompozitor, interpretues i disa instrumenteve muzikore, producent muzike, piktor dhe aktor.

Ai ishte produkt i një prej periudhave më revolucionare në muzikë, viteve 1960 që sollën në skenë artistë si Beatles, Elvis Presley, Led Zeppelin dhe frymëzuan një brez të ri që të sfidonte traditën dhe të kapërcente barrierat ndarëse mes zhanrave. Vetë David Bowie kujtohet jo vetëm për veprën muzikore, por edhe si një artist që nuk përfillte ndarjet konvencionale gjinore me veshjen dhe paraqitjen e tij.

Ai mori famë në vitin 1969, si kantautor i këngës "Space Oddity", një thirrje e artistit për pasojat psikologjike të Luftës së Ftohtë, e cila përkoi njëkohësisht me zbritjen në Hënë të Anijes së Hapësirës "Apollo".

Tre vjet më vonë ai krijoi këngët e tjera që u bënë menjëherë të famshme "The Rise of Ziggy Stardust" dhe "Spiders from Mars". Në interpretimin e këtyre këngëve Bowie u paraqit në formën e dy personazheve të ndryshme eksentrike, që në fakt u bënë pjesë e pandashme e trashëgimisë së tij artistike.

Ai bashkëpunoi ngushtë me John Lennonin, me të cilin u bënë bashkautorë të muzikës rock "Changes", si dhe me Brian Enon në Berlin, me të cilin krijuan veprën muzikore "Heroes".

Në fillim të viteve '80 David Bowie shënoi sukese të tjera me krijimet "Let's Dance" dhe "Under Pressure," të cilat i regjistroi së bashku me grupin muzikor "Queen", si me një turne në Shtetet e Bashkuara.

Bowie ishte artist avangard që si askush tjetër arriti të reflektojë në veprën e tij ndikime nga më ekstremet, si ndërthurjen e nuancave të muzikës elektronike dhe të asaj kishtare. Mesazhi ishte i qartë: respekto individualitetin tënd:

“Ajo që mora nga mesazhi i tij filozofik ishte të jesh në gjendje të ruash individualitetin tënd; ky mesazh ishte shumë i rëndësishëm për brezin tim,”- thotë Arsene Wenger, menaxher i Arsenalit.

Kryeministri britanik David Cameron kujton se brezi i tij u rrit me muzikën e Bowiet:

“Për dikë në moshën time, David Bowie ishte pjesë e kolonës zanore të jetës sonë, qoftë kur dëgjuam për herë të parë “Space Odyssey” apo kur pamë atletët britanikë në kostumet olimpike të frymëzuar nga veshja e Bowiet. Ai ishte mjeshtër i metamorfozës dhe të gjitha format që merrte si artist ishin të suksesshme. Ai ishte i mrekullueshëm. Sot kujtojmë një gjeni të madh britanik që na pasuroi jetët me veprën e tij

Në vitin 1996 Bowie u nderua me një yll në Hollin e Famës së Muzikës Rock and Roll.

Ai është bashkautor i muzikalit "Lazarus.", një vepër për të cilën ai punoi deri në momentet e fundit të jetës së tij. Shfaqja do të fillojë të jepet në Broadway këtë muaj.

Për të nderuar artistin, në mars ishte në plan do të jepej një koncert në "Carnegie Hall", në Nju Jork. Ai ishte autor i muzikalit "Lazarus.", një vepër për të cilën ai punoi deri në momentet e fundit të jetës së tij.

David Bowie vdiq në shtëpinë e tij në Nju Jork; ai le pas gruan e tij, modelen Imam, me të cilën kishte një vajzë, si dhe një djalë nga martesa e tij parë.

XS
SM
MD
LG