Lidhje

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu viziton Shkupin


Kryeministri turk Ahmet Davutoglu po qëndron për vizitë në Shkup ku u prit nga kryeministri dhe presidenti maqedonas, ndërkohë që u takua edhe me përfaqësues të pakicës turke.

Kryeministri Davutoglu theksoi mbështetjen e fuqishme që vendi i tij ia jep Maqedonisë për anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike të NATO-s.

Ai dhe kolegu i tij maqedonas Nikolla Gruevski folën për zhvillimin ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve të tyre duke nënvizuar synimet që shkëmbimi tregtar të arrijë shifrën prej një miliardë Eurosh.

Aktualisht, Turqia dhe Maqedonia shkëmbejnë mallra me një vlerë prej 450 milionë Euro në vit. Zoti Davutoglu tha se raportet e shkëlqyera politike duhet të reflektohen edhe në rrafshin ekonomik.

“Maqedonia duhet të sigurojë paqe dhe qëndrueshmëri me qëllim shmangien e konflikteve të mundëshme ndëretnike”, tha Ahmet Davutoglu.

Kryeministri turk i shoqëruar nga një delegacion qeveritar ndodhet në Shkup me rastin e shënimit të ditës së arsimit të pakicës turke në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG