Lidhje

SHBA: "Një ditë pa gratë", një protestë ndaj pabarazisë

  • Aru Pande

Miliona gra dolën në rrugë për të protestuar kundër pabarazisë në pagë, diskriminimit dhe sfidave të tjera sociale gjatë marshimeve masive të janarit këtu në Shtetet e Bashkuara. Sot në Ditën Ndërkombëtare të Grave, shumë shpresojnë të hedhin dritë mbi këto çështje, duke marrë pjesë në protestën “Një Ditë Pa Gratë”.

Pak vetë mund t’i harrojnë imazhet e 21 janarit – dhjetra mijëra gra në kryeqytetin amerikan, një ditë pas inaugurimit të presidentit Donald Trump kërkuan mundësi të barabarta.

Për Vanessa Cardenas, nënë e dy fëmijëve, marshimi ishte fillimi i luftës së vazhdueshme për të drejtat e grave.

“Mendoj se gratë në Shtetet e Bashkuara kanë përparuar por ende nuk i kemi thyer barrierat, qoftë për të patur gruan e parë presidente, për të patur pagë të barabartë, apo për të patur kontroll mbi trupat tanë, pasi lufta për këto të drejta vazhdon edhe sot.”

Ndërsa gratë në mbarë botën u inkurajuan ta merrnin pushim ditën e sotme për të treguar forcën ekonomike që posedojnë, Cardenas thotë se do të bëjë pazar në një biznes në pronësi të një gruaje për të treguar mbështetjen e saj, por do të jetë në punë në organizatën Emily’s List që ndihmon zgjedhjen e grave në poste zyrtare.

“Ne jemi gjysma e vendit, por tani për tani përfaqësohemi më pak se 20 përqind në Kongres dhe kjo nuk është e mjaftueshme. Nuk do të kemi politika që mbështesin gratë, që mbështesin familjet, ekonominë tonë sipas mundësive që kemi, derisa të ketë një numër të barabartë grash dhe burrash në postet drejtuese”, thotë Rachel Thomas e organizatës "Emily's List".

Karin Agness, themeluese e grupit konservator të grave, Network of Enlightened Women, është dakort për nevojën e barazisë gjinore. Por ajo shton se protesta e sotme përjashton gra si ajo dhe dërgon mesazhin e gabuar.

“Gratë kanë bërë shumë përparime dhe është demoralizuese për mua si një grua e re që lëvizja e sotme i sheh gratë ende si viktima, dhe si një klasë viktimash në nevojë që qeveria të ndreq problemet e tyre.”

Askush nuk mund t’i parashikonte turmat masive të grave që u shfaqën në marshimin e janarit.

Është e vështirë të thuhet sesa gra do të dërgojnë të njëjtin mesazh duke mos u paraqitur sot në punë.

XS
SM
MD
LG