Lidhje

Festivali i Filmit në Uashington

  • Penelope Poulou

film

Për më shumë se 30 vjet, Festivali i Filmit në Uashington ka sjellë për audiencën e sofistikuar të kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, realizime kinematografike nga gjithë bota, të cilat ngjallin gjithmonë diskutime dhe debate. Këtë pranverë, ky organizim feston 31 vjetorin me 80 filma të përzgjedhur.

Washingtoni... aty ku politika ndërthuret me kulturën. Prandaj nuk është aspak befasuese që në festivalin e qytetit gjen filma që përcjellin mesazhe politike e sociale dhe vijnë nga gjithë bota. Tony Gittens, themeluesi dhe drejtuesi i festivalit, flet për Zërin e Amerikës-n mbi titujt e këtij viti.

"Filmat në garë trajtojnë probleme që janë rënduar më tej me ardhjen në pushtet të presidentit dhe administratës së re. Për shembull, këtë vit theksi vihet tek imigracioni, te rëndësia që ka shkollimi cilësor kundrejt shkollave hibride, të cilat po e komercializojnë arsimin. Këtë vit jemi përqendruar gjithashtu te shtypi i lirë apo mënyra si politikanët luajnë me qytetarët dhe shqetësimin e tyre për vendet e punës.”

Midis filmave të përzgjedhur nga Gittens është “Të gjitha qeveritë gënjejnë,” i regjisorit kanadez Fred Peabody, një realizim kinematografik, i cili trajton historinë e gazetarisë së lirë, të pavarur dhe rolin që ajo luan në ruajtjen e së vërtetës dhe demokracisë. Spikat gjithashtu dokumentari “Postieri i mirë,” i regjisorit bullgar Tonislav Hristov.

“Dokumentari flet për banorët e një qyteti të vogël, të cilëve u duhet të përshtaten me sirianët e ardhur rishtas në komunitet. A do ta përmirësojë kjo ekonominë e tyre apo do t’i dëmtojë më tepër? Këto janë shqetësime me të cilat përballen çdo ditë europianët dhe amerikanët.”

Festivali ofron një larmi filmash me tematikë ndryshimet sociale e kulturore, të para nga këndvështrimi i komuniteteve etnike, që janë si ishuj të izoluar brenda kulturave të tjera. “Një dasmë,” drama e regjisorit Stephan [Stehfahn Strehkehr] Streker, prodhim franko-pakistanez, flet për një familje pakistaneze që jeton në Francë dhe e përjeton si tragjedi vendimin e njërës prej vajzave për të përqafuar një mënyrë të re jetese, ndryshe nga ajo tradicionalja.

Një ndër realizimet vizualisht më mbresëlënëse është “Human” i fotografit dhe regjisorit Yann [Yahn Ahrthus BertrAhnd] Arthus-Bertrand, një film që të lë pa frymë. Bota shihet nga lart, me njerëzit që duken shumë të vegjël atje poshtë dhe pejsazhe të gjera e të pafundme ndërthuren. Regjisori ka intervistuar njerëz nga të gjitha shtresat.

“Bëhet fjalë për botën, planetin, mjedisin, nevojat shoqërore dhe ekonomike të njerëzve dhe interesat e tyre, duke dëshmuar si në njëfarë mënyre ne jemi të ndryshëm, por në thelb, mbetemi të ngjashëm.”

Gittens thotë se nuk është gjithmonë e lehtë të përzgjedhësh filma për publikun e ngritur nga ana intelektuale dhe të informuar politikisht që gjen në kryeqytetin e vendit. Por, shton ai, kërkimi njëvjeçar për filmat më të mirë gjithmonë shpërblehet në fund.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG