Lidhje

De Block, shqetësim për azilin nga Shqipëria


Sekretarja e shtetit per imigracionin ne Mbretërinë e Belgjikës, Maggie De Block, shprehu sot shqetësimin e qeverisë belge në lidhje me numrin në rritje të shtetasve shqiptarë që kërkojnë strehim në Belgjikë. Në një takim të zhvilluar në Prefekturën e Shkodrës me përfaqësues të pushtetit vendor, zonja De Block tha se ka një shtim të numrit të azilkërkuesve, në krahasim me vitin e kaluar dhe se 90 % e tyre vijnë nga zona e Shkodrës.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar kemi patur 342 kërkesa. Kjo është zvogluar dhe, aktualisht, kemi një mesatare prej 45 kërkesash në muaj, por që është një numër shumë i lartë po të krahasohet me vitin e kaluar, ku mesatarisht ka patur 31 kërkesa në muaj. 90% e këtyre kërkesave, që vijnë nga Shqipëria, janë nga Shkodra dhe kanë si motiv gjakmarrjen.



Sekretarja e shtetit për imigracionin në Mbretërinë e Belgjikës u shpreh për një shtim të kërkesave për azil, kërkesa që, sipas saj, kanë si motiv gjakmarrjen. Për këtë arsye ajo kërkoi që, bashkerisht, të luftohen rastet e abuzimeve me dokumentet e falsifikuara.

Në fakt, në Belgjikë përballemi me një problem përsa i përket azilit dhe, për këtë arsye, kemi marrë shpesh masa gjatë muajve të fundit, ku më e rëndësishmja është vendosja e Shqipërisë në listën e vendave të sigurta, gjë që do të thotë se kërkesat për azil trajtohen në një kohë më të shkurtër, rreth 15 ditë. Eshtë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj e drejta për lëvizjen e lirë në zonën Shengen, por gjithashtu është e rëndësishme që qytetarët të mos abuzojnë. Ndaj është në të mirë të dy vendeve për të luftuar kundër çdo abuzimi, për të shmangur të gjithë dokumentet fallco dhe për të mos lëshuar vertetime përsa i përket gjakmarrjes. Belgjika ofron mikpritjen e saj për ata që kanë nevojë, por kur vërehen abuzime, ka procedura shumë të shkurtëra, ku përfshihet edhe mundësia e kthimit mbrapa.

Ndërkohë, Sekretarja e shtetit belg për imigracionin vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për ndalimin e dokumeteve të fallsifikuara si dhe për masat e marra ndaj disa autoriteteve vendore dhe përfaqësuesve të shoqatave joqeveritare që merren me fenomenin e gjakmarrjes. Por, ajo shtoi se njerëzit janë të prirur të gjejnë mënyra të reja, ndaj bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare për të forcuar masat për parandalimin e rasteve abuzive për kërkim të azilit në Belgjikë.
Edhe vitin e kaluar, një delegacion i Sekretariatit të shtetit të Belgjikës, për azilin dhe imigracionin e paligjshëm, ishte në Shqipëri dhe në Shkodër në përpjekje për të frenuar fenomenin e kërkimit të azilit për motive gjakmarrje.
XS
SM
MD
LG