Lidhje

Vdes në aksident kreu i firmës Total


Christophe de Margerie, kreu i gjigantit francez të naftës, Total, gjeti vdekjen mbrëmë, kur avioni i tij privat u përplas në pistën e aeroportit ndërkombëtar Vnukovo të Moskës. 63-vjeçari De Margerie dhe tre pjestarët e ekuipazhit vdiqën në aksidentin që ndodhi kur avioni po ngrihej për t'u kthyer në Paris.

Një zëdhënëse e ekipit hetimor rus të transportit tha se për rastin në fjalë është hapur çështje penale dhe mund të ketë pezullime nga puna për disa zyrtarë të aeroportit.

Hetuesit thonë se gjatë ngritjes, aeroplani preku një kamion për pastrimin e borës. Ata besojnë se shoferi i kamionit, i cili mbijetoi, mund të ketë qenë i dehur. Ngjarja ndodhi pak para mesnatës, sipas kohës lokale.

Firma Total tha se të katër viktimat gjetën vdekjen në vendngjarje, kur avioni u përfshi nga flakët.

Në selinë e kompanisë Total në Paris, punonjësit e pritën me tronditje dhe keqardhje vdekjen e njeriut që ata e cilësuan si mjaft të angazhuar në rolin e tij si drejtues.

Sekretari i Përgjithshëm i firmës, Jean-Jacques Guilbaud tha se Total do të vazhdojë rrugën e nisur.

"Christophe de Margerie ia kushtoi jetën zhvillimit të kompanisë në Francë dhe në botë, ia kushtoi të 100,000 punonjësve të saj. Dhe, ashtu siç dëshironte ai, Total do të vazhdojë të ecë përpara."

I njohur për mustaqet e tij të dendura dhe syzet e holla e të rrumbullakta, De Margerie u bë shef ekzekutiv i Totalit në vitin 2007. Tre vjet më vonë, ai mori edhe titullin Kryetar.

Vdekja e zotit De Margerie lë një boshllëk në krye të këtij grupi francez të naftës. Kompania njoftoi në faqen e saj të internetit se do të bëjë menjëherë mbledhjen e bordit të drejtorëve.

Firma Total ka zyra në më shumë se 130 vende.

Një zëdhënës i Kremlinit i cituar nga agjencia ruse e lajmeve TASS, tha se presidenti Vladimir Putin "e njihte prej kohësh zotin De Margerie" dhe i "vlerësonte shumë aftësitë e tij të biznesit."

XS
SM
MD
LG