Lidhje

Debati për vdekjen me dinjitet

  • Julie Taboh

Tre shtetet amerikane, Oregoni, Washingtoni dhe Vermonti, - kanë ligje që i lejojnë mjekët t’u japin ilaçe pacientëve me sëmundje vdekjeprurëse, të cilët zgjedhin t’i japin fund jetës së tyre. I tillë ishte rasti i 29-vjeçares Brittany Maynard, nga Oregoni, e cila mori një mbidozë depresantësh më 1 nëntor. Para se të vdiste, Maynard filloi një fushatë publike për të rritur ndërgjegjësimin për ligjin “Vdekje me Dinjitet”, por e drejta për të vdekur vazhdon të jetë e debatueshme.

Brittany Maynard sapo ishte martuar, kur ajo filloi të vuante nga dhimbje të forta koke.

"Nuk e kuptoja ç’po ndodhte me mua, nuk kisha patur kurrë dhimbje koke kaq të forta.”

Mjekët i thanë Maynard-it se kishte një formë agresive të kancerit të trurit dhe se i kishin mbetur vetëm 6 muaj jetë.

"Kur u diagnostikova me sëmundjen ishte shumë e dhimbshme sepse unë me burrin po përpiqeshim të krijonim familje.”

E ndërgjegjshme se kanceri është i pashërueshëm, Maynard vendosi se ishte më mirë që të vdiste me zgjedhjen e saj, se sa të duronte dhimbje të padurueshme.

Për këtë arsye, bashkë me familjen, ajo u zhvendos nga Kalifornia në Oregon, ku “Akti i Vdekjes me Dinjitet” i lejon njerëzit me sëmundje vdekjeprurëse të marrin një ilaç nga mjeku, për t’i dhënë fund jetës pa patur dhimbje.

"Nuk ju tregoj dot për lehtësimin që ndjeva kur mësova që mund të kisha një vdekje të lehtë, jo siç do ta kisha nga vdekja prej tumorit në tru.”

Maynard zgjodhi datën 1 nëntor për t’i dhënë fund jetës.

“Do të vdes në dhomën tonë të gjumit, me burrin dhe nënën në anë të shtratit.”

Gjatë kohës që i mbeti për të jetuar, ajo filloi një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e zgjedhjes në debatin e së drejtës për të vdekur. Dhe ajo kaloi kohë me të dashurit e saj para se të merrte ilaçin vdekjeprurës dhe të vdiste siç donte vetë…

Vendimi i saj u mbështet nga George Eighmey, anëtar i Bordit të Qendrës Kombëtare të Vdekjes me Dinjitet.

Po ai i tha Zërit të Amerikës se se jo të gjithë do të ishin dakord me zgjedhjen e saj.

“Kundërshtarët e parë nisen nga bazat fetare. Në këtë rast, unë i them “ respektoj besimin tuaj, ju respektoj ju, por ju lutem, ju duhet të respektoni zgjedhjen tonë për zbatimine këtij ligji. Kundërshtarët e tjerë janë zakonisht mjekët, të cilët besojnë se nuk duhet ta bëjnë këtë gjë, për shkak se nuk ja lejon etika profesionale, ose ngaqë besojnë se mund të ketë edhe shkelje në këtë proces. Por ne i kemi marrë masat, që të parandalojmë shkeljet” .

E drejta për të vdekur mbetet një çështje e hapur, thotë Cynda Rushton, profesoreshë në Institutin Berman të Bioteknikës dhe Shkollës së Infermjerisë në Universitetin Johns Hopkins.

“ Duke patur një politikë, e cila të lejon të kesh zgjedhje në fund të jetës, kjo nuk do të thotë se këtë rrugë do ta ndjekin të gjithë. Ajo që mësuam në Oregon, është se të kesh një ligj që i lejon njerëzit ta kërkojnë këtë proces të fillojë, por aktualisht vetëm një numër i vogël e ka zbatuar këtë kërkesë.”

Por Brittany Maynard – e cila e bëri këtë kërkesë, dha disa këshilla para se të vdiste.

“Merre kontrollin e jetës tënde: bëj atë që është e rëndësishme për ty në jetë. Harroji të tjerat.”

XS
SM
MD
LG