Lidhje

Debat në Kosovë, thirrje serbëve për dalje në zgjedhje

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Debat në Kosovë, thirrje serbëve për dalje në zgjedhje

Debat në Kosovë, thirrje serbëve për dalje në zgjedhje

Kryetarja e Komitetit serb të Helsnikit, Sonja Biserko, tha sot se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 12 dhjetorit, do t’i ndihmonte jo vetëm forcimin e institucioneve të vendit por edhe raportet midis Beogradit dhe Prishtinës. Ajo tha se bashkësia serbe në Kosovë duhet të jetë faktor aktiv, meqë në radhë të parë bëhet fjalë për vet ata. Zonja Biserko i bëri këto komente gjatë një debati të mbajtur në Çagllavicë afër Prishtinës, ku i bëri thirrje serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që siç thotë ajo nëpërmjet pjesëmarrjes, të synohet një pozicion politik, i cili më vonë do të ndihmojë serbët e Kosovës të jenë partner aktiv dhe i barabartë edhe i Beogradit.

“Kosova aktualisht gjendet në një periudhë të forcimit të institucioneve dhe kjo periudhë e shkurtër para zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mund të jetë e pamjaftueshme për ndonjë fushatë më serioze, por në cilindo rast është kohë e mjaftueshme që serbët e Kosovës të marrin një vendim jetësor, me të cilin do të definohen si subjekt i cili ndihmon jo vetëm forcimin e institucioneve te Kosovës, por edhe raportet midis Beogradit dhe Prishtinës, tha zonja Biserko.

Ditë më parë, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Vuk Jeremiq, ka përsëritur qëndrimin se qeveria e Serbisë është kundër daljes së serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, pasi që sipas tij nuk ka kushte që të marrin pjesë në zgjedhje.

Mirëpo, një pjesë e subjekteve politike në pjesën qendrore dhe jugore të Kosovës kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje. Ata vlerësojnë se pjesëmarrja e serbëve është shumë e rëndësishme në këto zgjedhje që ata i cilësojnë si një sprovë për institucionet e Kosovës por edhe praninë ndërkombëtare.
Por, një qëndrim krejt tjetër kanë serbët në veriun e Kosovës. Ata thonë se pjesëmarrja në këto zgjedhje do të ishte në kundërshtim më Kushtetutën e Serbisë e cila e trajton Kosovën si pjesë të saj dhe do të favorizonte siç thonë ata krijimin edhe të një shteti shqiptar në Ballkan. Serbët në veriun e Kosovës i bojkotuan zgjedhjet lokale të vitit 2009 në Kosovë me gjithë thirrjet e Prishtinës dhe të autoriteteve ndërkombëtare për pjesëmarrje në institucionet e vendit.

Zonja Biserko, thotë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje në veriun e Kosovës ende nuk dihet, për arsye që siç thotë ajo, trysnisë që kanë nga një pjesë e subjekteve politike në Beograd.

“Njerëzit ende janë në një situatë të pakëndshme dhe të pa sigurt mbi vendimin për të dalë në zgjedhje, prandaj gjasat janë që në veri të dalin më pak njerëz në votime”, tha zonja Biserko.

Sidoqoftë, nga 29 subjekte politike të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, tetë nga këto subjekte vijnë nga radhët e komunitetit serb me gjithë vlerësimet e qeverisë së Serbisë se nuk ka kushte për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG