Lidhje

Kandidatët republikanë ulin tonet


Islami radikal, politika e jashtme dhe tregtia ishin ndër çështjet që u trajtuan më shumë gjatë një debati të civilizuar të katër kandidatëve republikanë që vazhdojnë të garojnë për president. Debati i paraprin votimeve të mëtejshme paraprake që do të mbahen ditën e martë, ndërkohë që sot, ish-kandidati republikan Ben Carson, shpalli mbështetjen e tij për Donald Trump, i cili e pati përqeshur më parë gjatë fushatës.

Duke folur për rrezikun e myslimanëve të radikalizuar, dallimet në përqasjet e tyre u bënë të qarta, duke filluar nga Senatori i Floridas, Marco Rubio.

“Do të duhet të punojmë së bashku me mbretëritë e gjirit arabik. Do të na duhet të bashkëpunojmë p.sh. me Egjiptin, për të mundur ISIS-in. Do të duhet një lëvizje sunite arabe për ta mposhtur,” thotë senatori Rubio.

“Ata që përfaqësojnë Islamin radikal duan të shkatërrojnë çdo gjë tonën dhe të myslimanëve të tjerë që nuk ndajnë pikëpamjet e tyre. Përfundimisht duhet ta bashkojmë të gjithë botën e civilizuar dhe të flasim të gjithë me një zë në mënyrë që ta kuptojnë të gjithë se civilizimi përfaqëson shpresën dhe barazinë për të tërë,” thotë guvernatori Kasich.

“Ata presin koka njerëzish. Fusin 40, 50, ose 60 persona në kafaz dhe i mbysin në ujë. Ne nga ana tjetër veprojmë nga premisa të tjera. Na duhet të respektojmë ligjet. Por, duhet t’i zgjerojmë këto ligje, për të mundësuar të paktën luftimin e barabartë, ose përndryshe nuk do të jemi kurrë në gjendje ta mposhtim ISIS-in dhe të tjerët si ata,” tha zoti Trump.

Rivali më i afërt i zotit Trump, Senatori i Teksasit Ted Cruz, është vetëquajtur si alternativa ndaj ekstremitetit të Donald Trump në këtë garë. Zoti Cruz kritikoi propozimin e zotit Trump për të imponuar tarifa të rënda tregtare ndaj vendeve që nuk bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara.

“Një zgjidhje që funksionon është plani i taksimit që kam propozuar, i cili nuk do të taksojë eksportet tona, por do të taksojë importet, duke mos rritur kështu çmimet për amerikanët dhe pa tarifa reciproke. Nga ato ç’thotë Donaldi, nuk ofrohet zgjidhja e problemit,” thotë Senatori Cruz.

“Propozimi për një tarifë të lartë tregtare prej 45% është thjesht një kërcënim nëse nuk ndjekin rregullat. Duhet bërë diçka, pasi tregtia jonë dhe mbi të gjitha vendet e punës janë duke u humbur,” thotë​ zoti Trump.

Një Donald Trump më i përmbajtur, qëndroi mbi ngacmimet e Ted Cruz gjatë debatit, duke u fokusuar drejt votimeve paraprake që do të zhvillohen të martën në shtete të rëndësishme, si Florida, Illinois, dhe Ohio.

Nëse zoti Rubio humb përballë zotit Trump edhe në shtetin e tij të lindjes, kjo do të ishte një goditje e rëndë dhe ndoshta edhe fundi i fushatës së tij. Sondazhet e tregojnë zotin Trump të kryesojë në Florida, i pasuar nga zoti Rubio dhe zoti Cruz.

XS
SM
MD
LG