Lidhje

Debati për goditjet me avionë pa pilot


Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder thotë se mund të imagjinohet një “rrethanë e jashtëzakonshme” ku presidenti mund të urdhërojë një goditje të tillë

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder thotë se qeveria nuk ka për qëllim të përdorë goditjet me avion pa pilot në territor amerikan, por se mund të imagjinohet një “rrethanë e jashtëzakonshme” në të cilën një presidenti mund të urdhërojë një goditje të tillë.

Zoti Holder e shprehu mendimin e tij dje kur u mor në pyetje nga anëtarët e Komisionit Juridik të Senatit për justifikimin ligjor të përdorimit të avionëve pa pilot kundër individëve në vende të tjera.

“Qeveria nuk ka për qëllim që të kryejë goditje me avionë pa pilot në Shtetet e Bashkuara. Është e vështirë të mendoj që të ketë ndonjë situatë që kjo mund të ndodhë. Ne brenda Shteteve të Bashkuara kemi aftësinë të përdorim aftësinë tonë për ruajtjen e rendit”.

Përgjigjia e zotit Holder nuk e kënaqi Senatorin Republikan Rand Paul, që tha se administrata nuk ka qenë krejtësisht e qartë për rastet se kur ose ku duhet të përdoren goditje të tilla.

“E pyetëm katër herë nëse mendonte se ishte kushtetuese vrasja e dikujt në një kafene në Siatëll, ose Hjuston ose Luivill dhe ai vetëm thoshte se nuk do të ishte e përshtatshme. Por formulimi është i rëndësishëm për një çështje të tillë, prandaj kur flitet për një gjë të tillë, ‘e përshtatshme’ nuk është e mjaftueshme. Është njëlloj sikur të thoshte Presidenti ‘nuk kam ndër mend ta bëj një gjë tillë’. Ajo që duam ne është që ai të thotë ‘nuk do ta bëj’”.

Senatori Paul doli në senat të fliste gjatë një seance të gjatë ku ai mbante fjalime pa pushim për të penguar votimin për konfirmimit e kandidatit John Brennan si kreu i ri i CIAs. Sipas njoftimeve të medias, Senati e miratoi kandidaturën e zotit Brennan.

Komisioni i Senatit për Zbulimin votoi të martën për ta dërguar emërimin e tij në Senat për konfirmim pasi administrata paraqiti opinione ligjore sekrete me argumenta për sulmet me avionë pa pilot për shtetasit amerikanë jashtë vendit.

Zoti Brennan që deri tani ka qenë, këshilltari kryesor i Presidentit Obama për kundërterrorizmin ka thënë se i mbështet sulme të tilla.

XS
SM
MD
LG