Lidhje

Debate për muzeun e 11 shtatorit


11 vjet mbas sulmeve të 11 shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregëtisë, puna në muzeun që po ndërtohet në atë vend e që ishte parashikuar të hapej në këtë përvjetor, është ndërprerë, për arsye financiare si dhe për disa mosmarrëveshje të tjera. Njëkohësisht, pjestarë të familjeve të disa prej viktimave po e kundërshtojnë planin e muzeut për të ruajtur disa eshtra ende të paidentifikuara, në një prej mjediseve të nëndheshme të muzeut.

Memoriali Kombëtar për 11 shtatorin në Nju Jork është hapur që vitin e kaluar - duke tërhequr më shumë se 4 milionë vizitorë. Por puna u ndërpre muaj më parë në muzeumin pranë tij për arsye të mosmarrëveshjeve financiare mes Autoritet Portual i cili kishte në pronësi kullat e shkatërruara dhe fondacionit që po ndërtonte muzeun.

Bashkëshorti i Monika Ikenit, Michael, vdiq gjatë sulmeve.
“Është çoroditëse për vizitorët. Ata vijnë këtu dhe më ka ndodhur mua shpesh herë që më pyesin; ku është muzeumi, përse nuk është hapur? Si t’u thuash atyre që ne nuk po merremi vesh për paratë e financimit...”

Ekspozita e muzeumit do të tregojë historitë e sulmeve dhe të njerëzve që humbën jetën në to. Gjithashtu do të ketë edhe kënde ku do të ekspozohen të dhënat rreth al Qaidës dhe komplotistëve të 11 shtatorit- ndonëse disa familjarë të viktimave, si Jim Richs që ka humbur të birin Jimmy, mendon se ekspozimi i tyre duhet të jetë i kufizuar.

“Nëse dikush duhet të shoh fotografitë e tyre, le të shkojë në kisokën përkatëse e t’i shohë, por mendoj se po bëhet më shumë si një bulevard fame për terroristët duke i vendosur fotografitë e tyre këtu”.

Por është një koleksion i cili nuk do të shikohet kurrë, që ka ndezur debate të ashpra; një dhomë për 9 mijë pjesë të paidentifikuara trupash njerëzor, kocka dhe inde. Ky mjedis do të jetë 7 kate nëntokë dhe do të jetë i hapur vetëm për familjarët e vitimave ose për personelin mjekësor. Zoti Riches dhe pjestarët e 16 familjeve të tjera kanë hapur një çështje gjyqësore: ata duan që mbetjet e trupave të varrosen mbi tokë.

“Mendoj se nuk ka muzeum në vend që të ketë vendosur mbetjet njerëzore në muze, dhe natyrisht që duhet leja e familjarëve për këtë veprim”.

Kryebashkiaku Michael Bloomberg, kryetar i fondacionit të muzeut, thotë se ky mjedis me mbetjet njerëzore është i nevojshëm për një identifikim të mundshëm në të ardhmen përmes ADN-së.

“Një prej elementëve kryesorë të muzeut, në pikpamjen e shikueshmërisë dhe respektit, është vendi ku janë vendosur mbetjet e paidentifikuara, dhe ky nuk është vetëm një vend i vogël, është një laborator për të cilin mjekët mendojnë se është i domosdoshëm teksa teknologjia përparon”.

Një tjetër çështje është ajo e një grupi ateistësh i cili ka hapur një çështje gjyqësore për të ndaluar ekspozimin e një pjese të çeliktë në formë kryqi e cila u kthey në imazh për punonjësit e shpëtimit në Kuotën Zero. Por fondacioni është përgjigjur se ai do të ekspozohet si një artifakt dhe jo si objekt besimi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG