Lidhje

Debate për të ardhmen e veriut të Kosovës

  • Leonat Shehu
  • Zëri Amerikës
  • Prishtinë

Debate për të ardhmen e veriut të Kosovës

Debate për të ardhmen e veriut të Kosovës

Zhvillimet e ditëve të fundit në veriun e Kosovës kanë nxitur shumë debate për të ardhmen e asaj, si pjesë të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës. Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë e kanë hedhur poshtë çdo mundësi të ndarjes tokësore të Kosovës, një qëndrim që u ritheksua gjatë javës që po lëmë pas edhe nga shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwele. Por, analistët thonë se kërkimi i rrugëdaljes për gjendjen në veri mund të çojë në zgjidhje që do të mund të dëmtonin funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Analisti Nexhmedin Spahiu, në një bisedë për Zërin e Amerikës thotë se ndarja është përjashtuar, por Kosova ndodhet përballet sfidave të tjera.

“Problemi është që rreziku i cili i është kanosur Kosovës që nga fillimi, ajo akoma ekziston që të jetë një ndarje e brendshme, e cila kishte me filluar së pari me një status special për veriun e Kosovës dhe më pas të zgjerohej me komunat në jug të Kosovës të populluara me shumicë serbe”, tha ai.

Një mundësi e tillë thotë zoti Spahiu nënkupton një bosnjëzim të Kosovës.

“Rreziku që Kosova të ndahet në dy entitete është shumë i madh dhe do të duhej një mobilizim shumë i madh i shoqërisë kosovare, klasës politike në radhë të parë, që kjo të mos ndodh. Fatkeqësisht ngjarjet e fundit iu dhanë një ndihmë të madhe kësaj çështjeje”, tha zoti Spahiu.

Më 25 korrik qeveria e Kosovës filloi një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe në funksion të zbatimit të vendimit për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës. Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Qetësia u rivendos në veri me një marrëveshje mirëkuptimi të arritur nga KFOR-i me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë. Sipas kësaj marrëveshjeje që nuk është nënshkruar nga askush, vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës do të mbeten nën kontrollin e KFPOR-it deri në shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Zoti Spahiu thotë se këto zhvillime e kanë vënë çështjen e veriut në agjendën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Po, sigurisht që e ka futur në agjendë, ndoshta kjo është e vetmja gjë pozitive që mund të thuhet për të. Besoj që me këtë hap, me një aksion të tillë të dështuar, tërësisht të dështuar, qeveria e Kosovës ka rënë në një pozitë më të ulët se sa që ishte më përpara në tryezën e bisedimeve, duke marrë parasysh hapin të cilin e bëri me një marrëveshje me KFOR-in, e cila për mendimin tim ishte tërësisht e panevojshme, ka bërë që ta zbres pazarin e Kosovës, përkatësisht veriun e Kosovës, në bisedimet e ardhshme trepalëshe me Beogradin dhe me Brukselin”, tha zot i Spahiu.

Bisedimet pritet të rifillojnë më pesë shtator në Bruksel, por edhe më tej nuk ka asnjë njoftim se cilat mund të jenë temat e këtyre bisedimeve që ngecën në kohën kur Beogradi refuzoi të njohë vulat doganore të Kosovës, ndërsa pritet të rifillojnë pas një periudhe tensionesh të larta në veriun e Kosovës.

XS
SM
MD
LG