Lidhje

Debate rreth qëndrueshmërisë financiare të Kosovës


Debate rreth qëndrueshmërisë financiare të Kosovës
Debate rreth qëndrueshmërisë financiare të Kosovës

Në Kosovë partitë opozitare e kanë kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës e cila ka mbushur 100 ditë të punës së saj. Kritikat me të ashpra lidhen me shqetësimet që nxiti vendimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, për ndërprerjen e marrëveshjes së arritur në korrik të vitit të kaluar që kishte për qëllim “të rivendosë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ruajë qëndrueshmërinë financiare të Kosovës. Ndërprerja e marrëveshjes ishte rrjedhojë e vendimit të qeverisë për rritjen e pagave të punonjësve të sektorit publik. Me këtë ndërprerje Kosovës i është pamundësuar qasja në mbështetjen e premtuar financiare prej 156 milion eurosh nga Fondi monetar, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian. Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini tha se vendimi i Fondit Monetar ishte pasojë e veprimeve të palejueshme të qeverisë.

“Mendoj se Kosova është e hendikepuar për shkak të kësaj që ka ndodh, mirëpo duhet të provojmë që të nxjerrim mësim. Kosova duhet të mësoj që të sillet në mënyrë të përgjegjshme ndaj institucioneve ndërkombëtare, ndaj vetvetes dhe ndaj popullit vet. Sjellja e papërgjegjshme na ka sjell në situatë të palakmueshme tani dhe mendoj se duhet detyrimisht që të nxjerrët mësim”, tha zoti Gjini.

Por, qeveria e Kosovës, mohon vlerësimet se vendi do të ketë pasoja të rënda. Ministri i Financave Bedri Hamza i tha Zërit të Amerikës se është arritur një marrëveshje me Fondin për vëzhgimin e politikave ekonomike të Kosovës për vitin 2011. Kjo marrëveshje thotë ai parashikohet të ketë dy rishqyrtime, një në vjeshtë dhe një në fund të këtij vitit apo në fillim të vitit të ardhshëm.

“Nëse rishikimi i parë është pozitiv atëherë Banka Botërore mund të derdh mjetet e premtuara në buxhetin e Kosovës. Kosova aktualisht ka një trend pozitiv të hyrave, ka inkasuar të hyra më shumë se sa që ka shpenzuar, bilanci është pozitiv dhe normalisht krejt çka mundet me ndodh është që bilanci bankar nga 476 milion euro të parapara me buxhet, me marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar jemi akorduar që ky bilanc bankar të jetë rreth 300 milion euro”, tha ministri Hamza.

Zoti Hamza thotë se qeveria pret të realizojë fondet duke plotësuar kushtet që nënkuptojnë disiplinën financiare, një kërkesë kjo e cila u shtrua edhe Komisioni Evropian.

“Kushtet janë që kjo marrëveshje të respektohet, marrëveshja është shumë e mundshme të respektohet kërkon disiplinë,përkushtim, angazhim ditor dhe nëse kjo marrëveshje përfundohet suksesshëm, për çka ne jemi të përkushtuar që të gjitha veprimet që janë të nevojshme me i ndërmarr ti ndërmarrim. Pastaj, hapet mundësia për marrëveshjen e re në fillim të vitit 2012 e cila mundëson qasje në fondet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që janë kredi dhe normalisht edhe në donacionet tjera”, tha ministri Hamza.

“Mund të arrihet, me shumë kujdes. Personalisht jam shumë skeptik se qeveria aktuale mund të bëjë një gjë të tillë, mos harroni se kanë dhënë edhe premtime tjera para publikut të Kosovës edhe sot po ndodhin premtime për rritje të pagave pa mbulesë. Ka projekte të cilat nuk janë përfunduar për shkak të mungesës së mjeteve. Unë shpresoj që një gjë e tillë do të arrihet për shkak se do të pësojë Kosova në afatgjatë, mirëpo edhe njëherë po ju them se jam shumë skeptik se qeveria aktuale mund të arrij nivelin e përgjegjësisë i cili i duhet vendit”, tha deputeti Gjini.

Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 ajo u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankës Botërore, me gjithë kundërshtimet e Serbisë e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e shtetit të ri.

XS
SM
MD
LG