Lidhje

Disa reagime pas debatit presidencial


Votuesit në Çikago thonë se u bëri përshtypje paraqitja e Presidentit, ndërsa për ata në Universitetin Hofstra mendimet ishin të ndryshme.

Votuesit në Çikago, qyteti i presidentit Barack Obama, thonë se u bëri përshtypje paraqitja e tij në debatin e dytë presidencial. Ndërsa për studentët në Universitetin Hofstra ku u zhvillua debati, mendimet ishin të ndara. Ja disa nga reagimet:

"Unë jam veteran dhe do të desha të shihja një kandidat luftarak, të shihja Obamën që të luftonte për dinjitetin, krenarinë dhe historinë e tij, kur ato shtrembërohen,” thotë Scott Smith, i cili priret të votojë për zotin Obama.

Disa banorë të qytetit paguan nga 5 dollarë për ta parë debatin në një ekran të madh në Muzeun Historik të Çikagos.

Pas debatit, Robin Tillmon tha se tani ishte akoma më e sigurt se do t’ja jepte votën presidentit.

"E dija se do të votoja për për presidentin Obama gjithsesi, por debati ma përforcoi këtë mendim," tha zonja Tillmon.

"U gëzova vërtet që ai mundi të artikulojë planet e tij për katër vitet e ardhshme dhe shpresojmë se ai do të krijojë besim te mjaft njerëz."

Pas një paraqitjeje jo të mirë në debatin e parë presidencial me kandidatin republikan, zoti Obama tregoi mbrëmë se ishte rikthyer përsëri në formë.

Por jo të gjithë në Çikago janë të bindur se zoti Obama mund të pretendojë fitoren në debat.

"Nuk jam i sigurt a pati një fitues. Varet se për cilat politika është fjala dhe për cilat lloj aftësish si debatues," thotë Mark Neveau, i cili është i pavendosur se për cilin do të votojë.

"Mendoj se në një moment të caktuar njëri kandidat ishte më i qartë se tjetri. Varet se çfarë i intereson një votuesi të caktuar."

Edhe studentët në Universitetin Hofstra ku u zhvillua debati, shprehën mendime të ndryshme:

“Më duket se Mitt Romney është alternativë më e mirë për ekonominë, sepse është biznesmen,” thotë Nick Desmond.

Ndërsa për Robin Christian, fitues ishte Obama.

“Është e qartë se fitoi Obama, ai parashtroi pikëpamjet e tij dhe tregoi se cili ishte vizioni i tij.”

Në debatin prej nëntëdhjetë minutash, kandidatët nuk u pajtuan për çështje të tilla si taksat, ndihma për industrinë e makinave, masat për uljen e deficitit, energjia, kujdesi shëndetësor dhe politika e jashtme.
XS
SM
MD
LG