Lidhje

SHBA, Debati i parë mes kandidatëve republikanë


Debati i parë i garës presidenciale të vitit 2016 mbahet sonte në Kleveland të Ohajos, ku 10 kandidatët kryesorë republikanë do të përballen me njëri tjetrin në një debat të transmetuar drejtpërdrejt me televizion.

Biznesmeni dhe personaliteti televiziv, miliarderi Donald Trump, i cili ka fituar terren gjatë fushatës, gjatë së cilës ka shfaqur personalitetin e tij bombastik, do të jetë në qendër të debatit. Në debat do të marrin pjesë dy ish-guvernatorë: Jeb Bush i Floridës dhe ai i Arkansasit, Mike Huckabee; tre guvernatorë aktualë: ai i Uiskonsinit, Scott Walker, i Nju Xhërsit, Chris Christie dhe John Kasich, i Ohajos; po ashtu do të marrin pjesë senatorët Rand Paul, Marco Rubio dhe Ted Cruz, si dhe mjeku neourokirurg në pension Ben Carson.

Të dhjetë këta kandidatë u zgjodhën për debatin nga televizioni “Fox News”, bazuar në rezultatet e tyre në pesë anketa të ndryshme në shkallë kombëtare.

Shtatë kandidatë të tjerë republikanë, të cilët nuk ishin përzgjedhur për të marrë pjesë në debatin kryesor, do të marrin pjesë në një debat më të shkurtër, i cili është në plan të mbahet po të enjten, më herët.

Mes tyre janë ish shefja ekzekutive në fushën e teknologjisë, Carly Fiorina –e vetmja grua e garës republikane; ish-guvernatorët

Rick Perry, George Pataki dhe Jim Gilmore, guvernatori aktual i Luizianës, Bobby Jindal, senatori i Karolonës së Jugut, Lindsay Graham, dhe ish senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum.

Debati i së enjtes është i pari i gjashtë debateve të planifikuara për Partinë Republikane para fillimit të votimeve paraprake në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG