Lidhje

Debati mbi qendrën myslimane në Nju Jork


Debati mbi qendrën myslimane në Nju Jork
Debati mbi qendrën myslimane në Nju Jork

Debati mbi planin për të ndërtuar një qendër islamike pranë vendit ku ndodhi sulmi terrorist në Nju Jork në vitin 2001 ka ngjallur reagimin e shumë myslimanëve në Shtetet e Bashkuara. Por pavarësisht nga vala e një retorike anti-myslimane e madje edhe krime të nxitura nga urrejtja, disa myslimanë e shohin debatin mbi xhaminë si një mundësi për të riafirmuar vendin e tyre në shoqërinë amerikane.

Një protestë e organizuar nga një komentator konservator mblodhi një turmë të madhe në Uashington javën e kaluar. Si dhe shprehje të fuqishme patriotizmi.

“Zonja dhe zotërinj, le ta themi të gjithë së bashku Premtimin e Besnikërisë.”

Këta myslimanë nuk duan që patriotizmi i tyre të vihet në dyshim.

Në një shkollë në periferi të Uashingtonit, në Sterling të shtetit Virxhinia, ata u mblodhën për një takim të përbashkët të shoqatave skaut. Skauting është shumë popullor në Shtetet e Bashkuara.

Shumë prej tyre janë nderuar me një medalje të veçantë myslimane.

Pataj ata përgatiten për faljen e mbrëmjes. Ata gjithashtu e përfundojnë agjërimin e Ramazanit së bashku.

Xhezmin Ullah është udhëheqëse e një grupi të rinjsh në Shoqërinë Myslimane të komunës Dallasit.

“Duam t’u tregojmë njerëzve se ne jemi qytetarë si të gjithë të tjerët dhe jetojmë jetën tonë. Ne nga feja jemi myslimanë, por jemi të integruar në shoqërinë amerikane si kushdo tjetër.”

Por kjo nuk ka qenë aq e lehtë kohët e fundit. Plani për ndërtimin e një qendre islamike pranë vendit të njohur si Ground Zero ka ngjallur shumë debate në të gjithë vendin dhe shqetësime për krime të mundshme urrejtjeje kundër myslimanëve. Një shofer taksie u plagos me thikë pasi i tregoi një pasagjeri se ishte mysliman.

Xhezmin Ullah thotë se edhe atë e kanë ofenduar.

“Është e frikshme të mendosh se njerëzit që kalojnë rrugës dhe të përshëndesin, tani të shohin me mosbesim vetëm për shkak të fesë.”

Megjithatë, ajo ndjehet e inkurajuar nga fakti që shumë udhëheqës amerikanë e kanë mbrojtur të drejtën e ndërtimit të xhamisë në Manhatan.

“Mendoj se njerëzit që e kuptojnë çfarë është liria po përpiqen ta mbrojnë atë, ndërsa njerëzit që nuk janë përpjekur kurrë të mbrojnë vlerat e vërteta të shoqërisë amerikane po humbin idenë e domethënies së Amerikës.”

Kjo është pikërisht ajo që e shqetëson edhe komentatorin Glen Bek. Ai e quajti tubimin në Uashington “Rivendosja e Nderit”. Ai i bëri thirrje turmës të nderonin Zotin dhe vendin.

Zoti Bek e ka kundërshtuar me forcë qendrën e propozuar islamike në Nju Jork, por ai nuk e përmendi këtë në tubim.

Edhe ata që dhanë komente për Zërin e Amerikës nga turma nuk ishin kritikë ndaj islamit.

Xhenis Lipinkot kishte ardhur nga Nju Xhërsi.

“Unë mendoj se shumica e myslimanëve duan paqe, dhe atë e duam të gjithë ne qytetarët amerikanë. Por të ndërtosh diçka atje, në atë vend, më duket shqetësuese.

Amerikanëve, mungesa e tolerancës iu duket gjë e huaj për kulturën e tyre. Dhe mbrojtësit e të drejtave civile thonë se debati mbi xhaminë pranë Kuotës Zero – sido që të zgjidhet – mund t’u ofrojë myslimanëve një mundësi për të riafirmuar pozitën e tyre në shoqërinë amerikane.

XS
SM
MD
LG