Lidhje

Debati mbi tavanin e borxhit amerikan i nxitur nga politikat polarizuese


Debati mbi tavanin e borxhit amerikan i nxitur nga politikat polarizuese
Debati mbi tavanin e borxhit amerikan i nxitur nga politikat polarizuese

Ndërsa udhëheqësit politikë në Uashington përpiqen të gjejnë një kompromis për ngritjen e kufirit të huamarrjes deri të martën e ardhshme, si votuesit edhe analistët fajësojnë për situatën e krijuar politikat tepër partiake. Mosmarrëveshjet e thella politike kanë karakterizuar gjithnjë demokracinë amerikane, por historikisht vendi në përgjithësi ka gjetur një mënyrë kompromisi.

Në gjithë vendin, votuesit janë lodhur me bllokimin e bisedimeve në Uashington rreth borxhit kombëtar dhe po u bëjnë thirrje të dyja palëve të arrijnë kompromis.

Burrë: “Mosarritja e marrëveshjes deri në minutën e fundit mund të jetë kënaqësi për disa njerëz, por nuk ka kuptim sepse vendi nuk mund të drejtohet kështu”, thotë ky banor i Uashingtonit".

Grua: “Mendoj se politikanët po veprojnë si fëmijët e përkëdhelur, që thonë ‘ose si them unë ose hiç fare!”shprehet kjo grua".

Disa amerikanë shqetësohen se polarizimi politik ndoshta e ka çuar Amerikën në atë pike sa që nuk mund të qeveriset më.

Demokratët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe njërën prej dy dhomave të Kongresit, Senatin, por republikanët kanë shumicën në dhomën tjetër të Kongresit, Dhomën e Përfaqësuesve.

Edhe Presidenti Barak Obama shprehu nervozizëm në një fjalim që mbajti së fundi para vendit.

“Populli amerikan mund të ketë votuar për një qeveri të ndarë, por ai nuk votoi për një qeveri jofunksionale”.

Por beteja politike lidhur me ngritjen e tavanit të borxhit, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të përmbushin detyrimet e tyre financiare, vazhdon të jetë tepër e ashpër.

Shumë republikanë thonë se votuesit, që i zgjodhën ata, kërkojnë zvogëlimin e qeverisë dhe do t’i mbajnë përgjegjës politikanët në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, nëse këta nuk veprojnë.

Ligjvënësja nga shteti i Minesotës, Mishell Bahman mbështetet nga aktivistët e idesë për një qeveri të vogël në lëvizjen Tea Party. Ajo është gjithashtu kandidate presidenciale e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Zoti President, mos e ngri tavanin e borxhit. Amerikanët janë të lodhur me Uashingtonin, që nuk dëgjon elektoratin, ata janë të lodhur me mënyrën se si politikanët janë shkëputur nga realiteti dhe thonë se do të vazhdojnë shpenzimet”.

Shumë analistë e shikojnë betejën mbi tavanin e borxhit si shembullin më të fundit të polarizimit në rritje në Uashington, prirje kjo që është forcuar me kalimin e viteve. Profesor David Lublin jep mësim në Universitetin Amerikan në Uashington.

“Tani të dyja partitë janë më të polarizuara dhe mendoj se ky polarizim nxitet nga procesi parazgjedhor, i cili e bën gjithnjë e më të vështirë të fitosh emërimin e partisë nëse je kandidat i moderuar”.

Ndërsa dy partitë më të mëdha politike kanë më pak elementë të moderuar, gjetja e një pozicioni të mesëm për të arritur kompromis mbi çështje të vështira është bërë gjithnjë e më e komplikuar.

Eksperti i çështjeve politike, Matthew Dowd thotë se votuesit janë të zemëruar dhe do t’i mbajnë përgjegjës politikanët e të gjitha partive në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, nëse Kongresi dhe presidenti nuk arrijnë marrëveshje mbi tavanin e borxhit.

“Me pak fjalë, njerzit mendojnë se Uashingtoni është bërë një qendër jofunksionale dhe duket sikur politikanët nuk janë të aftë të ulen dhe të veprojnë si të rritur për të zgjidhur problemet e vendit”.

Anketat e opinionit tregojnë se shumica e amerikanëve duan që Kongresi të arrijë kompromis mbi tavanin e borxhit dhe pastaj të përqëndrohet në hapjen e vendeve të punës dhe në zhvillimin e ekonomisë.

XS
SM
MD
LG