Lidhje

Debati i dytë presidencial i kampit republikan


Pretendenti që kryeson aktualisht në kampin e kandidatëve republikanë për president, Donald Trump, ishte mbrëmë në qendër të vëmendjes. Ai ishte objekti kryesor i sulmeve të pjesëmarrësve në debatin e dytë të kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Debati u zhvillua në Bibliotekën Presidenciale Ronald Regan në Kaliforni:

Me avionin presidencial të Ronald Reganit në sfond, Donald Trump u ngjit në skenë ku u vu në shenjestër nga kandidatët e tjerë, ndër të cilët Senatori Rand Paul:

“Sulmet e tij ndaj të tjerëve thjesht për paraqitje: ky është i gjatë, një tjetër i shkurtër, dikush i shëndoshë apo i shëmtuar, të bëjnë të pyesësh si e ka kaluar ky njeri shkollën e mesme? Si të mos shqetësohemi nëse ai ka në dorë arsenalin tonë bërthamor?,” tha Senatori Paul.

“Kurrë nuk e kam sulmuar Rand Paulin për paraqitje dhe të them të drejtën kam plot çfarë të them në atë drejtim,” i përgjigjet Donald Trump.

Donald Trump pati një numër shkëmbimesh edhe me ish-guvernatorin e Floridas Jeb Bush përfshirë një replikë mbi marrëveshjen me Iranin dhe luftën në Irak:

“Mungesa e arsyetimit, e aftësisë për të kuptuar si funksionon bota është shumë e rrezikshme në këto kohë. Këtë gjykim sillni ju si kandidat, duke e bërë Hillary Clinton të duket si negociatore e suksesshme, apo se ajo do të jetë në gjendje të realizojë një marrëveshje më të mirë me Iranin?” shprehet Jeb Bush.

“Administrata e vëllait tuaj solli Barak Obamën në post, pasi ishte një katastrofë e tillë sa që as Abraham Linkolni nuk do të ishte zgjedhur dot,” i kthehet Donald Trump.

“Kur bie fjala për tim vëlla, di një gjë: ai na mbrojti,” përgjigjet Jeb Bush.

Në debat ishte edhe e vetmja grua kandidate në kampin republikan, ish drejtuesja e kompanisë Hewlett Packard Carly Fiorina, të cilën kohët e fundit Donald Trump e ofendoi për paraqitjen:

“Mendoj se gratë në mbarë vendin e dëgjuan qartë atë që tha Donald Trumpi,” tha zonja Fiorina.

Trumpi u përgjigj duke e lavdëruar këtë radhë zonjën Fiorina nga paraqitja.

Disa nga kandidatët u shprehën se toni ishte tepër i ndezur:

“Njerëzit që na shohin nga shtëpia duan të dinë si do të ndreqim problemet e vendit,” u shpreh kandidati John Kasich.

Pjesa më e madhe e kandidatëve kritikuan marrëveshjen e administratës Obama me Iranin.

“Nëse zgjidhem president, në ditën e parë në detyrë do ta gris këtë marrëveshje katastrofike me Iranin,” tha Senatori Ted Cruz.

Por Jeb Bush dhe Rand Paul thanë se nuk do ta anulonin marrëveshjen. Senatori Paul u shpreh kundër dërgimit të trupave në Siri apo Irak për të luftuar ISIS.

“Gjithmonë mund të gjeni një Bush apo një Klinton nëse doni t’i hyni përsëri luftës në Irak,” tha Senatori Paul.

Ndër kandidatët e tjerë në debat ishin Senatori Marco Rubio, Guvernatori nga Nju Xhërsi Chris Christie, ish-guvernatori i Arkansas Mike Huckabee, Guvernatori i Uiskonsinit Scott Walker dhe kirurgu Ben Carson, një tjetër kandidat jashtë qarqeve politike që spikat në anketa.

XS
SM
MD
LG