Lidhje

SHBA: Republikanët, në debatin e tyre të tretë


Marco Rubio doli fitues gjatë replikave që shkëmbeu me mikun e tij të vjetër Jeb Bush dhe sipas shumë analistëve u paraqit përgjithësisht mire në debatin e tretë presidencial republikan që u zhvillua të mërkurën.

Senatori nga Florida, Rubio dhe ish guvernatori Bush, i të njëjti shtet, ishin mes 10 kandidatëve republikanë që debatuan kryesisht mbi politikat ekonomike, në qytetin Boulder të shtetit Kolorado.

Zoti Bush, i cili shihej dikur si më i preferuari me republikanëve, por që nuk ka arritur të sigurojë dot mbështetje deri tani, e sulmoi zotin Rubio që herët në debat, duke e akuzuar se ai nuk kishte marrë pjesë gjatë shumë votimeve në senat.

"Marco, e more këtë detyre për një mandat 6 vjeçar, dhe puna në Senat është e plotë dhe jo 3 ditë në javë sa punon ti”, u shpreh kandidati Bush.

Marko Rubio ia ktheu shpejt, duke e akuzuar Jeb Bushin se po e sulmonte nisur nga motive politike: "Dikush të ka bindur se duke më sulmuar mua do të ndihmosh veten", i tha ai njeriut që në të kaluarën i ka shërbyer si mentor.

Trump në pozita mbrojtëse

Debati, transmetuar në kanalin kabllor televiziv të lajmeve financiare CNBC, vjen ndërsa manjati i pasurive të patundshme Donald Trump duket se po humbet pozitën kryessuese të garës.

Donald Trup, i cili, sipas disa sondazheve, tani ka rënë në vend të dytë, pas neurokirurgut në pension Ben Carson, u shfaq më i butë dhe në pozita mbrojtëse, në krahasim me debatet e mëparshme.

Më herët, zoti Trump reagoi me zemërim kur një gazetar, drejtues debati, e pyeti nëse planet e tij të taksave, që disa thonë se do të shkaktojnë deficitet, dhe propozimi i tij për të ndërtuar një mur në kufi për të mbajtur jashtë emigrantët meksikanë, do të thotë se ai ishte duke zhvilluar një fushatë presidenciale si ato të tregimeve në librat komikë.

"Kjo nuk është një pyetje shumë e bukur në mënyrën se si e thatë ju” , u përgjigj Donald Trump, dhe vazhdoi të mbrojë propozimin e tij të taksave duke thënë se kjo do të siguronte që ekonomia amerikane të ngrihej si të ishte raketë kozmike.

Carson mbron planin e taksave

Ben Carson, politikan i panjohur e me zë të butë, gjithashtu u bë objekt i disa sulmeve nga rivalët, përfshirë edhe ndaj planit të tij tatimor, për të cilin ai ka thënë se është frymëzuar nga koncepti biblik i të dhjetës.

"Unë nuk them që norma do të jetë 10 për qind. Unë e përdora të dhjetën si një analogji, sepse shkalla do të jetë rreth 15 për qind", tha zoti Carson, një i krishterë evangjelist.

Guvernatori Ohio John Kasich shfrytëzoi rastin për të sulmuar të dy kryesuesit. Ai kritikoi propozimet e taksave të kandidatëve Carson dhe Trump, duke i quajtur "fantazi" dhe tha se të dy ata provonin se janë të pakualifikuar për t'u bërë president.

"Zotërinj, ka ardhur koha të zgjohemi" tha John Kasich. "Ne nuk mund të zgjedhim dikë që nuk di ta bëjë këtë punë. Duhet një njeri që ka dije, përvojën dhe disiplinën".

Gjithashtu në debat morrën pjesë ish-shefja ekzekutive e Hewlett Packard, Karli Fiorina; Guvernatori shtetit New Jersey, Chris Christie; ish-guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Huckabee; senatori i Teksasit, Ted Cruz; dhe senatori nga Kentucky, Rand Paul.

Skenë e mbushur me njerëz

Skena plot me kandidatë e bëri më të vështirë për të përcaktuar një fitues të qartë apo humbës, dhe gjithashtu ndaloi diskutim në thellësi mbi çështjet, thotë profesori i gazetarisë në Universitetin Northwestern, Alan Shrëder.

"Mendoj se ishte një debat me shumë njerëz, dhe pak a shumë i gjatë. Një nga gjërat që ndodh gjatë debateve paraprake është se çdo herë vihet re se një ose dy vetë nga debatet e mëparëshëm, mungojnë.”

Profesor Shrëder i tha Zërit të Amerikës, se fakti që debatet sot zhvillohen me kaq shumë njerëz e karaktere, e bën shumë të vështirë të përqëndrohet në ndonjë gjë."

Rubio, i fortë

Por professor Shrëder, autor i një libri mbi historinë e debateve presidenciale në SHBA, thotë se Marco Rubio ishte mes atyre që shkëlqeu më shumë, veçanërisht gjatë shkëmbimit të replikave me zotin me Bush.

"Rubio ka vërtetë aftësi për të shmangur sulmet, dhe Jeb Bush vetëm duket se nuk di ç’të bëjë kur sulmon të tjerët," thotë profesor Shrëder.

Richard Temple, një strateg republikan me bazë në Kaliforni, është dakord, duke thënë se zoti Rubio mund të pësojë një rritje në sondazhe pas debatit. Zoti Temple i tha Zërit të Amerikës se Marco Rubio ka qenë i fortë në çdo debat, por ai tani shihet si republikan më pragmatik për ata që vendosin se nuk duan të votojnë për Donald Trump apo Ben Carson.

Trump, jo mirë

Kjo nuk ishte nata më e mirë për Donald Trump, i cili përsëriti thuajse të njëjtat gjëra, pothuajse fjalë për fjalë, si në debatet e kaluara. Mënyra se si debatoi, e kombinuar me rënien e popullaritetit në anketa, sugjerojnë se rënia e tij mund të ketë filluar, sipas zotit Temple.

"Shumë njerëz mendonin se Donald Trump nuk do të ndiqte rregullat e gravitetit," thotë Richard Temple. "Mendoj se rënia është duke filluar tani. Ai nuk ka përvojën që kanë disa nga kandidatët e tjerë që kanë mbajtur poste. Mesazhi do të zbehet, mbështetësit e tij po shpërndahen, dhe votuesit do të gjejnë dikë tjetër.”

Sulmet mbi median

Një tjetër humbës i mundshëm në debat ishte media - veçanërisht moderatorët e rrjetit CNBC, të cilët u përpoqën dhe dështuan disa herë për t’i bërë kandidatët të sulmonin njëri-tjetrin personalisht.

"Mendoj se të gjithë kandidatët e panë sulmin ndaj shtypit si një strategji të zgjuar. Unë nuk jam i sigurt nëse ishte kështu. Mendoj se kjo ishte e panevojshme. Por mori më shumë duartrokitje", thotë eksperti republikan John Feehery.

Debati sekondar

Debati kryesor u zhvillua menjëherë pas një debati tjetër, të kandidatëve që gëzojnë pak mbështetje, por që janë ende në garë.

Senatori Lindsey Graham e përdorur skenën për të sulmuar Donald Trumpin dhe sllgonanin e tij "ta bëjnë Amerikën të madhe sërish". "Amerika është e madhe," tha ai. "Kam ndërmend të bëj Amerikën të fortë përsëri."

Gjithashtu më pak zë në debat patën ish senatori Rick Santorum, guvernatori i Louizianës, Bobby Jindal, dhe ish guvernatori i Nju Jorkut, George Pataki, të cilët gëzojnë shumë pak mbështetje në anketat kombëtare.

XS
SM
MD
LG