Lidhje

Debati presidencial dhe marrëdhëniet amerikano-kineze


Presidential Debate

Presidential Debate

Marrëdhëniet kino-amerikane janë një prej çështjeve që del shpesh në debatet gjatë këtij viti zgjedhor, por të dy kandidatët presidencialë si dhe votuesit amerikanë e përqëndruan më tepër vëmendjen gjatë debatit të tretë tek shqetësimet ekonomike, se sa tek fuqizimi i Kinës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Kate Woodsome njofton.

Në kushtet kur anketat tregojnë se kur kanë mbetur me pak se dy javë nga zgjedhjet, gara po zhvillohet tepër e ngushtë, fituesi pritet të përcaktohen nga votuesit e vetëm disa shteteve. Një nga barometrat kryesorë matës është shteti qendror i Ohios, ku Deborah Wang, përkrahëse e presidentit Obama, e ndoqi debatin tek qendra e shërbimit të emigrantëve nga Azia, ku ajo edhe punon në qytetin Kliveland.

“E di se çfarë më çudit? Për herë të dytë ndjeva se Romney kishte kuptim kur thonte, të paktën kur filloi debati, se Kina do stabilitet në botë, se nuk do luftë. Ata duan një treg të qëndrueshëm, ku të mund t’i eksportojnë prodhimet e tyre. Unë thashë me vete: po, këtë do Kina”.

Wang, është mes elektoratit gjithnjë e më të rëndësishëm të aziatiko-amerikanëve, një prej popullsive që po rriten më shpejt në SHBA dhe sipas një anktimi të ri, një prej blloqeve më të pavendosura në vend. Karthick Ramakrishnan, që ndihmoi në anketimin me aziatiko-amerikanët, thotë se këta votues mund të luajnë rol të rëndësishëm në zgjedhjet e nëntorit.

“Ne zbuluam nga të dhënat më të fundit që grumbulluam deri në mesin e tetorit, se më tepër se çereku i aziatiko-amerikanëve ishin të pavendosur. Kjo shifër është 3 herë më e lartë se mesatarja kombëtare.”

Ai thotë se personat që e kanë vendosur për kë do të votojnë, kanë prirjen që të preferojnë Partinë Demokrate para asaj republikane. Problemet sociale dhe ekonomia ndihmojnë në informimin e votuesve, thotë ai, po këtë e bën edhe retorika politike.

“Ka shumë shqetësim tek komuniteti i aziatiko-amerikanëve se si paraqitet politika e jashtme, a shprehet ajo përmes një mënyre me nuanca dhe të komplikuar, apo përmes një mënyre që mund të ndezë tensione, jo vetëm ndaj Kinës, por edhe ndaj kinezo-amerikanëve".

Rivali i zotit Obama, guvernatori Mitt Romney, ka shkaktuar polemika për një prej ndryshimeve kryesore në politikë me Presidentin-presionin ndaj Kinës për rritjen e vlerës së monedhës.

“Kjo është arsyeja që unë që ditën e parë do t’i quaja ata manipulatorë të monedhës, që na lejon ne zbatojmë tarifa, kur ata na marrin vende pune”.

Wang thotë se Kina është një objektiv i lehtë për fushatën, sepse shumica e amerikanëve nuk e kuptojnë situatën në Kinë dhe ata janë të shqetësuar me ekonominë në vend.

“Eshtë tepër e thjeshtë të fajësosh një faktor të jashtëm. Kjo nuk është një qasje e sinqertë”.

Një tjetër votues kinezo-amerikan, Raymond Lee, ka qëndrim të ndryshëm. Ai thotë se çështjet ekonomike janë më të rëndësishme se sa politika e jashtme. Banori i Ohios thotë se ai mbështet Mitt Romney-n, sepse ai i kupton sfidat me të cilat ndeshen bizneset amerikane.

“Ashtu sikurse Mitt Romney, unë kam parë situata të ndryshme kur këshillohem me klientët. Rregullatorët qeveritarë që kemi tani na e vështirësojnë punën në biznes”.

Lee, drejtues në një kompani për prodhimin e lëngjeve, vjen nga një familje e thjeshtë; ai është rritur në një lagje të varfër, ku ai thotë se ka vuajtur diskriminimin si nga zezakët, edhe nga të bardhët, ngaqë ai vetë ishte aziatik.
Ai thotë se më tepër shqetësohet për krijimin e vendeve të punës dhe pakësimin e borxhit të SHBA, se sa për politikën e jashtme, apo se si e perceptojnë atë aziatiko-amerikanët. Lee është kundër disa programeve të administrates Obama që ofrojnë ndihmë sociale dhe arsimore, për të cilat Lee thotë se njerëzit duhet të paguajnë vetë, si ka bërë ai.

“Obama flet për mbështetjen e të rinjve, por rinia sot duhet ta gjejë vetë se si ta paguajë borxhin…”

Gjatë debatit, Presidenti argumentoi se në afat të gjatë, SHBA duhet të investojnë brenda vendit, me qëllim që të konkurojnë me Kinën.

“Në se nuk investojmë për arsimin, nuk vazhdojmë të japim fonde për kërkime shkencore dhe teknologjinë, që do të na lejojnë të krijojmë biznese të suksesshme këtu në SHBA, kështu do të humbnim konkurrencën”.

Përgjigja ishte tipike për disa nga çështjet në debatin e së hënës, ku pyetjet mbi politikën e jashtme shpesh sollën përgjigje lidhur me planet ekonomike brenda vendit. Kjo pasqyron atë që thonë anketimet, se shqetësimet ekonomike janë primare si për aziatiko-amerikanët, edhe për votuesit e tjerë amerikanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG