Lidhje

Debati mbi sigurinë e energjisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara


Debati mbi sigurinë e energjisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara
Debati mbi sigurinë e energjisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara

Kriza bërthamore në Japoni ka ringjallur debatin në gjithë botën lidhur me sigurinë e energjisë bërthamore. Këtu në Shtetet e Bashkuara, zyrtarë të industrisë bërthamore ofrojnë garanci se energjia bërthamore është e sigurtë. Por kritikët thonë se, ndërsa kjo industri është përmirësuar gjatë viteve të fundit, amerikanët duhet të jenë gati për skenarin më të keq.

Tërmeti dhe cunami që pasoi në Japoni shkatërroi vendin ishull. Mijëra njerëz humbën jetën, ndërsa komunitete të tëra u zhdukën. Tani japonezët përballen me një rrezik tjetër: shkrirja bërthamore. Shumë prej tyre i ka zënë paniku.

"Asnjeri nuk po na thotë ne qyetarëve se ç’po ndodh në realitet".

Ajo që ka ndodhur është kjo: Disa reaktorë në centralin bërthamor Daiçi në Fukushima nuk kanë funksionuar si duhet dhe si rezultat ka pasur rrjedhje radioaktive.

Kryeministri i Japonisë tha në televizionin shtetror se nivelet e rezatimit me sa duket janë shumë të larta, ndërkohë që zëdhënësi i qeverisë foli më konkretisht:

"Tani flitet për nivele rezatimi që mund të ndikojnë tek shëndeti i njerzve".

Autoritetet qeveritare u bënë thirrje banorëve afër zonës së centralit që të qëndrojnë brënda.
Ndërsa ky ankth i ri bërthamor ndryshon vazhdimisht në Japoni, përfaqësues të industrisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara ofrojnë garanci se energjia bërthamore është e sigurtë. Sekretari amerikan i Energjetikës, Steven Chu.

"Populli amerikan duhet të ketë besim të plotë se Shtetet e Bashkuara kanë rregulla të ashpra sigurie për të garantuar se energjia jonë bërthamore gjenerohet në mënyrë të sigurtë dhe me përgjegjësi".

Kjo nuk është e vërtetë, thonë kritikët e kësaj industrie. Ata e pranojnë se siguria në centralet bërthamore është përmirësuar gjatë viteve të fundit, por, sipas tyre, amerikanët duhet të jenë gati për skenarin më të keq.

"Është e qartë se japonezët, vendi më i përgatitur për tërmete dhe cuname se çdo vend tjetër i botës, nuk kishte vlerësuar si duhet një tërmet me fuqi 9 ballë. Pra mendoj se duhet të bëhet një rivlerësim i rreziqeve të sigurisë".

Kevin Kamps pranë grupit mbikqyrës të mbetjeve radioaktive, Beyond Nuclear, Matanë Energjisë Bërthamore, kundërshton dhënien e liçencës për më shumë se 20 centrale bërthamore në Shtetet e Bashkuara.

"Reaktori numër 1 në centralin Daiçi të Fukushimas ishte 40 vjeçar. Ai ishte i parë që pati probleme. Ne kemi 23 reaktorë të tillë në Shtetet e Bashkuara me dizenjo shumë të ngjashme".

Arjun Makhijani i Institutit për Energjinë dhe Kërkimet e Mjedisit ka bërë thirrje për një rivlerësim të centraleve bërthamore në zonat bredgetare të Shteteve të Bashkuara dhe përgjatë pllakave tektonike. Ai kërkon gjithashtu të dijë se kush do të paguajë për operacionet e pastrimit në rast të një katastrofe bërthamore.

"Industrisë bërthamore as që nuk i kërkohet të mbulojë mbi 11 miliardë dollarë në dëme. Dhe në një kohë kur flasim për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, kjo çështje duhet përsëri të përfshihet realisht në shpenzimet qeveritare".

Zoti Makhijani thotë se operacionet e pastrimit mund të kushtojnë qindra miliarda dollarë, madje ai kërkon të shikojë ndalimin me faza të zhvillimit të energjisë bërthamore.

Që prej tërmetit dhe cunamit në Japoni, autoritetet janë përpjekur të ftohin reaktorët e centralit të dëmtuar, duke përdorur ujë deti, por duket se uji avullon shumë më shpejt se sa teknikët mund ta derdhin atë aty.

XS
SM
MD
LG