Lidhje

Çfarë përfaqëson niveli tavan i borxhit


Negociatat për rritjen e nivelit tavan janë të lidhura ngushtë me diskutimet që po zhvillohen në Uashington për të shmangur katastrofën fiskale

Është e pamundur të zgjidhet problemi i katastrofës fiskale pa zgjidhur më parë problemin e borxhit amerikan. Por shumë veta e konsiderojnë këtë temë si diçka abstrakte, pasi është e pakonceptueshme masa e tavanit të borxhit. Në vazhdim i hedhim një vështrim lidhjeve të ndërsjellta mes borxhit publik dhe katastrofës fiskale që i kanoset vendit:

Ky nuk është një fenomen unik i Uashingtonit. Tavani i borxhit përfaqëson një nivel maksimal të borxhit amerikan. Në vitin 1917 kur Kongresi miratoi nivelin tavan të borxhit për të financuar luftën, shuma ishte diçka mbi 11 miliardë dollarë.

Ekonomisti Richard Rahn thotë se ideja ishte që qeverisë t’i imponohet disiplinë buxhetore:

“Është një proces i tepërt kur kemi një buxhet, por debati bëhet i dobishëm pasi na detyron të diskutojmë sa po shpenzohet dhe për ç’arsye”.

Deri kohët e fundit, Kongresi e miratonte automatikisht ngritjen e nivelit të borxhit. Por kjo praktikë ndryshoi në vitin 2011, kur Kongresi i udhëhequr nga republikanët e pengoi procesin, duke çuar në uljen e klasifikimit financiar të borxhit amerikan.

Sot niveli tavan është 16.4 trilionë dollarë dhe pritet të tejkalohet në shkurt.

“Mendoj se është e pamundur që mendja e njeriut t’i konceptojë shifra të tilla”.

Nëse do të përpiqemi ta përkufizojmë borxhin amerikan në terma më konkrete, do të ishte më e lehtë nëse fillojmë me kartmonedha 100 dollarëshe. Një shumë 1 milion dollarëshe me kartmonedha 100-she do të mbushte plot një çantë pazari. Për 100 milionë dollarë mbushet një kontenier transporti detar – 10 të tilla do të përmbanin shumën 1 miliard dollarë.

Por nëse mbledhim kartmonedha 100 dollarëshe për të arritur shumën 1 trilion dollarë, pra 1 me 12 zero, do të mbushnim një fushë futbolli me kontenierë të stivuar nga dy. Borxhi prej 16 trilionë dollarësh do të ishte sa 16 fusha të tilla mbushur me nga dy palë kontenierë mbi njëri-tjetrin.

“Ne u kemi borxh shumë vendeve. Të huajt përfaqësojnë rreth 40 për qind të borxhit, ndër të cilët kinezët janë kryesorët”.

Edhe Japonia dhe Evropa kanë një përqindje të konsiderueshme të borxhit, përveç investitorëve privatë nga pika të ndryshme të globit.

Shumë politikanë konservatorë duan ta ulin ndjeshëm borxhin dhe disa prej tyre thonë se niveli tavan nuk duhet rritur pa shkurtuar më tej buxhetin.

Zyra e Kongresit për Buxhetin thotë se katastrofa fiskale, pra rritja e taksave që hyn automatikisht në fuqi më 1 janar, së bashku me shkurtimet buxhetore që ka kërkuar Kongresi për të imponuar diskutime për nivelin e borxhit, do ta shkurtonin deficitin buxhetor në masën 50 për qind.

Por një masë e tillë automatike shoqërohet me kërcënime serioze thonë analisti Robert Bixby:

“Zyra e Kongresit për Buxhetin është shprehur shumë qartë se nëse përfshihemi nga katastrofa fiskale, vendi do të futet në recesion. Parashikimet nga sektori privat janë edhe më alarmante”.

Disa anëtarë të Kongresit duan rritjen e nivelit tavan të borxhit, në kuadër të negociatave. Për momentin ekonomistët thonë se synimi kryesor është të shmanget tronditja që do t’i sillnin shkurtimet buxhetore dhe rritja e taksave ekonomisë më të madhe të botës.

Ekspertët thonë se çdo hap i gabuar do të kishte pasoja të mëdha brenda dhe jashtë vendit, pikërisht në kohën kur rimëkëmbja globale duket se po ngadalësohet.

XS
SM
MD
LG