Lidhje

Cili është skenari nëse nuk rritet tavani i borxhit


Shtetet e Bashkura nuk do të mbeten menjëherë pa fonde që të enjten, por vetëm pas disa ditësh, në se Kongresi nuk e miraton në kohë ligjin për të lejuar rritjen e tavanit të borxhit nga 16,7 trilionë dollarë që është aktualisht.

Në se Kongresi nuk vepron deri në mesnatës e së mërkurës, duke filluar nga e enjtja, qeveria nuk do të ketë më të drejtë të marrë fonde hua për të paguar detyrimet financiare, mes të cilave edhe interesat për bonot e thesarit që janë blerë nga qeveri të huaja si Kina, Japonia e të tjera.

Qeveria thotë se ka rreth 30 miliardë dollarë në arkën e shtetit dhe një sasi tjetër parash që hyn aty çdo ditë, si rezultat i aktiviteteve të ndryshme dhe këto fonde mund të mjaftojnë për disa ditë. Po analisti financinar Steve Bell i tha Zërit të Amerikës se pa patur të drejtë të marrë fonde të tjera, duke filluar nga java e ardhshme, arka e shtetit do të boshatiset.

Gjatë dy javëve të ardhshme, qeveria duhet të bëjë disa pagesa të mëdha, si miliarda dollarë në interesa, për investitorët që kanë blerë bonot e thesarit, si dhe pensionet mujore të amerikanëve. Qeveria nuk ka thënë se kur do t’i mbarohen paratë, por zyra e buxhetit e Kongresit parashikon që kjo të ndodhë ditën e martë.

Disa kritikë të qeverisë, kryesisht republikanët që kundërshtojnë presidentin demokrat Barak Obama, thonë se qeveria mund të vazhdojë t’i paguajë interesat e bonove të thesarit dhe duke bërë kështu, teknikisht, vendi nuk mund të quhet në falimentim.

Por analistët, si zoti Bell, thonë se në se vendi nuk arrin të paguajë qoftë edhe një prej faturave të tij financiare, kjo do të thotë falimentim.
XS
SM
MD
LG