Lidhje

Vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë


Në Shqipëri dekretet e presidentit Bujar Nishani për vendet vakantë në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë kanë ndezur një debat të ri mes shumicës dhe opozitës në komisionin e ligjeve.

Përfaqësuesit socialistë kanë kundërshtuar qëndrimet e shumicës me dekretet për gjykatësit e lartë. Deputeti Pandeli Majko kujtoi se prej shumë muajsh qëndron në parlament i fjetur një dekret i ish presidentit Bamir Topi për një vend në Gjykatën Kushtetuese, i cili nuk është hedhur poshtë dhe as miratuar, ndërkohë që sipas tij, vijnë dekrete të tjera që mbivendosen.

Duke deklaruar se nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e lojërave politike të së djathtës, socialistët braktisën punimet e komisionit.

Të djathtët të cilët e cilësuan veprimin e opozitës si nisjen e një sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese, dëgjuan kandidatët dhe i dhanë miratimin e tyre propozimeve të presidentit Nishani.

Në dy vendet e mbetura bosh në Gjykatën kushtetuese janë propozuar Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj, të dy gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Ndërsa për vendin e mbetur bosh në këtë gjykatë është propozuar zoti Xhezair Zaganjori, anëtar aktual i Kushtetueses.
XS
SM
MD
LG