Lidhje

Dekriminalizimi, diskutime të gjata në parlament


Shumica dhe opozita kanë rënë dakort për një tekst konsensual. Miratimi në javët e ardhshme së bashku me ndryshimet kushtetuese. Deputeti Mark Frroku i cili ndodhet në arrest, heq dorë nga mandati

Pasi javën e shkuar komisioni për dekriminalizimin arriti në një tekst konsensual, sot parlamenti ka nisur që prej paradites diskutimin e tij. Dhe ndonëse bëhet fjalë për një dokument për të cilin palët kanë rënë dakort, pak ose aspak është diskutuar për përmbajtjen e tij gjatë seancës së gjatë që përfundoi në mbrëmje. Thelbi i debateve ishte një përsëritje e akuzave që deputetët e të dy krahëve shkëmbejnë prej kohësh mes tyre, me opozitën e cila e bëri kauzë të vetën këtë cështje, e ndihmuar dhe nga zëri gjithnjë e më i fuqishëm i komunitetit ndërkombëtar që kërkonte më ngulm shkëputjen e lidhjeve të politikës me krimin.

Ligji i dekriminalizimit në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:46 0:00

Nga ata që bënë, edhe shpjegimin e ligjit, ishte deputeti demokrat Eduard Halimi, pjesë e komisionit të posacëm përlamentar:“Ky ligj sot ka 2 objektiva të qartë. E para, të prishë kontratën me krimin e bërë para zgjedhjeve, dhe të eleminojë cdo pasojë e ardhur nga ky shkak, pra dekriminalizmin, largimin e plotë, të menjëhershëm të gjithë atyre zyrtarëve me rekorde të tmershme kriminale, kudo që janë. E dyta, të garantojë që ky fenomen i tmerrshëm për vendin të mos përsëritet më, mos lejojë kryetarët e partive që të vendosin sërish në të ardhmen as në parlament dhe as në administratë publike, njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale”.

Teksti i ligjit detajon të gjitha kategoritë që preken, që nga deputetët, ministrat apo përfaqësuesit e zgjedhur vendor deri të institucionet e tjera të shtetit, duke penalizuar jo vetëm ata që janë dënuar në Shqipëri por dhe ata që kanë marrë një dënim qoftë edhe jo të formës së prerë, në gjykatat e vendeve të Bashkimit europian, Shteteve të Bashkuara e Kanadasë. Ai parashikon një numër të madh veprash penale kryerja e së cilave bëhet shkas për të mos lejuar ushtrimin e funksioneve publike, si për gjatë gjithë jetës, ashtu dhe për afate të ndryshme kohore në varësi të veprës penale

“Projektligji parashikon në 76 raste, dispozita të kodit penal të cilat ndalojnë promovimin politik dhe administrative-ligjor të personave që implikohen në këto raste dhe që i kanë ato mbi supe si dhe në mënyrë kategorike të mos ushtrojnë funksione publike. Projektligji parashikon njëkohësisht jo vetëm periudhën e ndalimit të ushtrimit të këtyre funksioneve por dhe mekanizmat e monitorimit e të kontrollit, organet kompetente për verifikimin dhe zbatimin e ndalimeve si dhe kushtet e pezullimit e të ndalimit të ushtrimit të funksionit”, deklaroi deputeti i Lëvizjes socialiste Spartak Braho.

Deputeti socialist Ben Blushi e quajti një damkë për parlamentin përfshirjen në të, të elementëve me të shkuar kriminale, ndërsa shigjetoi haptazi kryetarin e partisë së tij: “Përgjegjësia sidoqoftë nuk është kolektive por është vetëm dhe vetëm personale. Eshtë e atyre që i sollën në parlament, që i zbukuruan, që i parfumosën, i korrektuan, i lyen me buzëkuq, i bënë make-up politik, për të na detyruar që ta pranojmë këtë shëmti si normë politike”.

Miratimi i ligjit pritet të bëhet në javët e ardhshme së bashku me ndryshimet e nevojshme në kushtetutë në mënyrë që ai të bëhet plotësisht efektiv.

E ndërsa parlamenti ishte përfshirë në akuza se cila nga palët ishte më shumë e lidhur me krimin, deputeti Mark Frroku, kryetar i partisë Kristian-demokrate, në aleancë me socialistët e zotit Rama, njoftoi se heqjen dorë nga mandati i deputetit. Frroku ndodhet në arrest, pasi ai akuzohet nga autoritetet belge për një vrasje të ndodhur në 1999 në Bruksel. I vëllai i tij, Arben Frroku, i cili është i dyti në listë e që rrjedhimisht do duhej ta zëvëndësonte, është në arrati, ndërsa është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Apelit për vrasjen e një komisari policie në Tiranë dy vjet më parë.

Gjatë paradites, seanca e sotme e parlamentit u parapri nga një protestë e një grupi ish të përndjekurish politikë sipas të cilëve në vend po mungon liria dhe demokracia e vërtetë. Policia ndërhyri me forcë për të ndalur njërin prej tyre i cili tentoi të futej në mjediset e jashtme të parlamentit.

XS
SM
MD
LG