Lidhje

Dekriminalizimi, palët rikthehen në Komision


Pas ndërhyrjes së LSI-së, socialistët tërhiqen dhe pranojnë që të dy variantet e ligjit për dekriminalizimin të shqyrtohen në komisionin e posacëm parlamentar. Nëse nuk arrihet konsensus, do kërkohet vlerësimi i Komisionit të Venecias

Në Shqipëri, shumica dhe opozita duket se kanë arritur në një gjuhë të përbashkët, së paku për rrugën që duhet të ndjekin për të miratuar ligjin që do të pengonte pjesmarrjen në jetën politike dhe publike të personave me një të kaluar kriminale

Duket se falë këmbënguljes së Lëvizjes socialiste për Integrim, socialistët ranë dakort që dy variantet e propozuara, ai nga qeveria dhe ai i demokratëve të shqyrtohen në komisionin e posacëm parlamentar të ngritur për dekriminalizimin. Socialistët janë tërhequr nga pozicioni i mëparshëm sipas të cilit Komisioni parlamentar e kishte humbur funksionin e tij. Javën e shkuar në parlament kyeministri Edi Rama u shpreh se në tetë muaj Komisioni nuk kishte bërë asgjë, duke paralajmëruar se “me ose pa konsensusin e opozitës, ligji do të miratohet”.

Të njejtës linjë ju përmbajtën edhe deputetët e tjerë socialist. Por sot, deputeti Taulant Balla foli me tone të zbutura ndërsa tha se “shumë shpejt do të jetë i mundur një tekst i përbashkët që do cojë në miratimin me konsensus të ligjit”.

Palët janë mbështetur në modelin italian dhe variantet e tyre ndryshojnë vetëm në disa aspekte, sic është kërkesa e demokratëve lidhur me shenjat e gishtërinjve, testin e drogës, apo dhe mekanizmat që do të vihen në lëvizje për të verifikuar deklarimet e funksionarëve politik e publik.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se “e rëndësishme është që në cdo lloj formati që do përfundojë ky ligj, në fund të ketë një ligj që do nxjerrë kriminelët sot nga parlamenti dhe institucionet dhe nuk do t’i lerë ata të hyjnë nesër. Cdo gjë tjetër që nuk e bën këtë do të jetë e papranueshme për ne”.

Por nëse palët nuk do të gjejnë dakortësi, atëherë variantet e tyre, sic shpjegoi kreu i grupit parlamentar të LSI-së, do t’i nënshtrohen vlerësimit të Komisionit të Venecias, vendimi i të cilit, sic tha ai, do të jetë i detyrueshëm për të gjithë.

XS
SM
MD
LG