Lidhje

Delawie: SHBA përkrah Kosovës përballë sfidave

  • Ardita Dunellari

“Kosova, demokracia më e re në Evropë, ka shënuar përparim të madh që nga shpallja e pavarësisë: ka miratuar dhe vënë në zbatim ligje moderne, ka përjetuar rritje ekonomike të qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësim të sigurisë duke krijuar një atmosferë që lejon lulëzimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”. Ky është vlerësimi i diplomatit të lartë amerikan Gregory Delawie, kandidat i Presidentit Barak Obama për ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ai iu përgjigj dje pyetjeve të Senatorëve në një seancë të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për konfirmimin e përfaqësuesve të rinj diplomatikë amerikanë.

Në fjalën e tij, zoti Delawie parashtroi përparësitë e tij nëse i besohet detyra e ambasadorit amerikan bazuar në atë që e cilësoi si një pikësynim i përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës:

“Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me demokracinë më të re të Evropës mbështeten në një vizion të përbashkët për vendin legjitim që i takon Kosovës në një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe”.

Arritja e këtij vizioni, shprehet kandidati i Presidentit Obama për ambasador amerikan në Kosovë, përballet me një numër pengesash në rrugën e Kosovës për t’u shndërruar në një shtet plotësisht demokratik, shumetnik dhe funksional. Zoti Delawie tha se puna e tij do të diktohet nga tre sfida madhore:

“Nëse miratohet kandidatura ime, unë do të përqëndrohem në tre drejtime shumë të rëndësishme dhe të ndërlidhura: forcimin e shtetit ligjor, zgjerimin e sigurisë rajonale dhe nxitjen e reformave ekonomike”.

Diplomati i lartë amerikan theksoi nevojën që qeveria e Kosovës të hartojë një metodologji të koordinuar në përgjigje të problemit të mprehtë të korrupsionit. Shtetet e Bashkuara, tha ai, mund të japin ndihmesë konkrete në këtë drejtim, duke ofruar ekspertizë nga një numër agjencish amerikane.

Një temë aktuale është ajo e gjykatës së posaçme që të hetojë akuzat për krime lufte.

“Kosova duhet të përmbushë zotimet e saj duke miratuar së shpejti masat ligjore për të ngritur një gjykatë speciale që të merret me rastet që lidhen me akuza për krime gjatë kësaj periudhe. Nëse miratohet kandidatura ime unë do të nxis qeverinë e Kosovës të mbështesë intensivisht procedurat gjyqësore të këtij institucioni”.

Një tjetër proces i rëndësishëm institucional është ai i tranzicionit nga Forca e Sigurisë e Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Nëse miratohet kandidatura ime, do të angazhohem për të garantuar se Shtetet e Bashkuara e udhëheqin këtë tranzicion në një mënyrë që rrit stabilitetin rajonal, forcon institucionet demokratike në Kosovë dhe e pozicionon Kosovën që në një të ardhme të përmbushë kushtet për antarësim në NATO”.

Kosova, tha kandidati i Presidentit Obama për ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka pasuri të shumta natyrore e njerëzore. Kapitali i saj më i madh është rinia, që ky vend e eksporton me çmimin më të ulët. Diplomati i lartë amerikan u zotua që ta shfrytëzojë rolin dhe potencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë për të mbështetur Kosovën në kapërcimin e problemeve dhe shndërrimin në një demokraci funksionale që gëzon besimin e qytetarëve të saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG