Lidhje

Delegatët afganë mbështesin planet për paqe me Talebanin


Delegatët afganë në konferencën e paqes në Kabul thanë se mbështesin planet e presidentit Karzai për bisedimet me Talebanin në përpjekje për t’i dhënë fund luftës gati nëntë vjeçare.

Rreth 1 mijë e 600 delegatët e mbështetën sot planin e ripajtimit, në përfundim të asamblesë tre-ditore, apo xhirgas në kryeqytetin afgan. Pas takimit ata dolën me një rezolutë, e cila kërkon formimin e një komisioni që të udhëheqë përpjekjet për hapjen e negociatave me talebanët.

Në rezolutë thuhet se kryengritësit që duan të marrin pjesë në procesin e paqes duhet t’i presin lidhjet me Al Kaidën dhe me grupe të tjera terroriste. Në të thuhet se militantët që i bashkohen procesit të paqes duhet të hiqen nga lista e zezë e OKB-së dhe bën thirrje për lirimin e të burgosurve që janë ndaluar gabimisht nga forcat afgane dhe ato të huaja.

Gjatë fjalës së mbylljes në Asamble, Presidenti Karzai i bëri thirrje talebanëve dhe grupeve militante që t’u japin fund luftimeve. Ai tha se Xhirga i ka siguruar “një rrugë të qartë” qeverisë.

XS
SM
MD
LG