Lidhje

Ilir Demaliaj: “Guri i fundit i dominosë”


Protagonisti i njohur i protestave demokratike të vitit 1990 Ilir Demaliaj, sapo ka botuar librin e tij të ri me dëshmi historike “Guri i fundit i dominosë”. Zoti Demaliaj thotë nga Tirana se Shqipëria është përsëri edhe sot përballë të njëjtave sfida demokratike, si ato të vitit 1990. Ai thekson se pas 25 vjetësh të Lëvizjes Demokratike, klasa politike vazhdon të abuzojë me pushtetin, dhe të përfshihet në korrupsion e krime.

25 vjet më parë autori Ilir Demalia ishte një nga të rinjtë më të guximshëm në ngjarjet e vitit 1990, të cilat kulmuan me shpërthimin e lëvizjes demokratike të vitit 1990.

Ai sapo ka botuar librin me dëshmi “Guri i fundit i dominosë” për ngjarjet e gjysmës së parë të vitit 1990, kur shumë të rinj kërkuan lirinë duke hyrë masivisht në ambasadat e huaja të vendosura në Tiranë.

Shoqëria shqiptare, thotë zoti Demalia, ende nuk ka ngritur një raport të saktë me të vërtetat e lëvizjes demokratike.

Aq më pak ka ndërtuar një raport me të vërtetën elita e asaj kohe dhe kompromentimi i saj me regjimin komunist.

Sipas tij, ende nuk është ndëshkuar e keqja e komunizmit dhe pa këtë ndëshkim nuk mund të ketë zhvillim moral dhe shtetëror.

Zoti Demalia thotë se në Shqipëri ende mungojnë dhe nuk respektohen liritë njerëzore, përveç lirisë së fjalës, e cila ka degraduar qysh nga parlamenti deri tek qytetarët.

Sipas tij, shqiptarët ende kanë një shoqëri të mbyllur, megjithë dëshirën për të arritur vendet demokratike.

Edhe tani, pas 25 vitesh, Shqipëria është guri i fundit i dominosë, thotë ai, duke u sjellë rrotull miteve të rreme të demokracisë së saj.

Zhvillimi i vendit me makina dhe pallate, i cili përmendet vazhdimisht si sukses, thotë autori Demalia, është në fakt një produkt kaotik i qeverive kaotike shqiptare, dhe mbi të gjitha nuk përputhet me papjekurinë e madhe demokratike të institucioneve në Shqipëri.

Ai theksoi se kudo nëpër Tiranë ka biseduar me njerëz të varfër dhe të frikësuar nga shteti, që i kujtonin atmosferën e diktaturës, sepse po mbizotërojnë korrupsioni dhe dhuna.

Me librin e tij Ilir Demalia ka sjellë dëshminë e tij të vërtetë mbi ngjarjet e vitit 1990 dhe kërkon që përmes dëshmive të sinqerta të të gjithëve të funksionojë edhe vetë demokracia shqiptare, mbi bazën e të vërtetës, vullnetit të mirë për ta zhvilluar vendin, pikësëpari duke respektuar të drejtat njerëzore dhe duke pastruar administratën nga abuzuesit e pushtetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG